NGA Flora Xhemani Baba,

Gazetarja dhe eksperte e njohur e turizmit, thotë se vila turistike e Aida Gjeçaj në zonën e Thethit është djegur nga banorët e zonës, menjëherë pasi IKMT nisi shembjet e objekteve të paligjshme, nga inati se ajo ishte e ftuara e kryeministrit Edi Rama në podkast.

Vetë Aida Gjeçaj ka deklaruar se nuk ka pasur konflikt me askënd, por ka pohuar publikisht se zjarri në restorantin e saj ka qenë i qëllimshëm. Ajo deklaroi se edhe ekipet zjarrfikëse e kishin njoftuar se energjia kishte vazhduar të ishte e ndezur edhe pasi vila kishte marrë zjarr, duke rrëzuar teorikisht idenë se zjarri vinte nga shkëndija elektrike.

 

Shënimi i plotë i gazetares dhe ekspertes Flora Xhemani Baba:

S`keni çfarë t`i bëni shtetit dhe i bini Aidës

Gjithë këto ditë të Katrahurës së Thethit, kam marrë shumë mesazhe në inbox ku njerëz të ndryshëm më thonë “pse nuk prononcohesh edhe ti për Thethin, se ti je e turizmit dhe duhet të flasësh”. Ose “po ti çfarë mendimi ke për Thethin, a je dakord që po prishen ndërtimet e bizneseve apo je kundër”.

Dhe në fakt kam qenë në një dilemë të madhe, nëse duhet ta them edhe unë fjalën time apo jo, me tagrin një njeriu që e njeh mirë terrenin turistik prej njëzet vjetësh dhe bashkë me të, edhe problematikat e tij të shumta. Dhe po të mos ishte djegur restoranti i Gjeçajve, ndoshta nuk do t`i shkruaja as këta rreshta.

Në të njëjtën dilemë të fortë nëse duhet të flas apo jo, kam qenë edhe kur Marjana Koçekut iu dhurua një mandat deputeje dhe ajo pa u menduar dy herë, e pranoi këtë dhuratë, duke e ndërruar xhubletën katërmijëvjeçare të Neomalësores, që e ekspozonte plor hir rrugëve e panaireve të Berlinit, me kostumin katërmijëeurosh të deputetes, që do ta ekspozojë në shtator në pasarelën e Parlamentit.

Në rastin e Marjanës, stepesha e nuk e thosha mendimin tim, sepse nuk doja të interpretohej si dashakeqësi, apo qoftë edhe si zili e llojit, për një yll në ngjitje të turizmit, e cila në shumë pak kohë arriti majat e famës. Ose nuk doja t`i vihesha kundër një komuniteti të tërë që e brohoret në Fejsbuk e që ndoshta e shihte/e sheh si “zërin e tyre në qeverri”. Ky komunitet e ka të pamundur ta kuptojë se braktisja e kullës dhe e misionit të turizmit të vështirë të maleve për një karrige deputeti nga një vajzë e re që frymëzonte një brez të tërë, ka vrarë keqas shpresat dhe ëndrrat e mijëra të rinjve të tjerë që ashtu si Marjana dikur Neomalësore, mund të përkëdhelnin idenë e kthimit “te rrâja” dhe rivitalizimit të kullave të Dukagjinit, të Alpeve apo të zonave të tjera të braktisura të Shqipërisë.

Por Marjana i la të rinjtë e frymëzuar prej saj në ëndrrat e tyre dhe vetë vrapoi drejt Parlamentit e ku i dihet, nesër edhe drejt Ministrisë së Turzimit, sepse i Madhi ynë e ka treguar se mund t`i bëjë ministre edhe vajzat e vogla e pa përvojë si Neomalësorja dhe në shoqërinë shqiptare askush nuk çuditet më me këto katapultime ku sot je askush e nesër gdhihesh ministre, sot je Edona e nesër “s`e dona ma”.

Por le të kthehemi tek Thethi

Unë nuk kisha ndër mend të thosha asgjë, sepse fjalën time e kam thënë me kohë dhe jo vetëm një herë, dhe jo vetëm për Thethin. Për Valbonën, për Thethin, për Lumin e Shalës, për Dhërmiun, për Jalin për Palasën, për Sarandën, për Golemin dhe për çdo zonë turistike ku masakrat ndërtimore kanë shëmtuar keqas peisazhin dhe e kanë bërë zonën të pakualifikueshme. Kam folur atëherë kur ishim në kohë për t`i bërë gjërat mirë e të ruanim çfarë kishte mbetur e paprekur. Sot është vonë.

Shpeshherë kur kam folur, kam marrë mbi vete edhe pakënaqësinë e institucioneve, si llafazane grindavece që nuk i rri goja, por edhe atë të bizneseve (sidomos atyre në Alpe), sepse kam kritikuar ndërtimet e drurit, si çibanë që përdhosin imazhin e kullave shekullore dhe identitetin krenar të Alpeve tona. Nuk kam dashur të bëj kompromis me të keqen dhe të zgjidhja variantin “ç`më duhet mua të kruhem kot, më mirë shoh punën time dhe jam rehat”, sepse po u strukëm të gjithë në rehatinë tonë dhe të tërhiqemi siç jemi tërhequr, do të ndodhë kjo që po ndodh dhe dikush tjetër do të marrë vendime për ne. Vendime që siç duket qartë nën dritën e diellit nuk janë aspak në shërbim të komunitetit por thjesht interesa të një pale kundrejt një pale tjetër.

Kush e ka fajin për situatën e sotme të ndërtimeve në Theth dhe kudo në Shqipëri?

Pa asnjë dyshim dhe asnjë ekuivok: SHTETI.

Shteti nuk i ka pajisur banorët e Thethit me çertifikata pronësie për toka e për kulla që ata i trashëgojnë prej brezash edhe pse vetë banorët e kërkojnë këtë gjë me ngulm, sidomos ata që kanë investuar në turizëm.

Shteti nuk ka bërë asnjë plan zhvillmi për zonat turistike dhe fshatrat me trashëgimi kulturore brenda zonave të mbrojtura, as kur u bë projekti “100 fshatrat”.

Shteti e lejoi masakrën të ndodhte ditën për diell dhe me vite të tëra, derisa vala e saj mbuloi kambanaren e kishës ikonike, që është simboli botëror i turizmit në Shqipëri.

Shteti shkoi para zgjedhjeve dhe u premtoi banorëve se do t`i legalizonte të gjitha ndërtimet turistike me “Paketën e Maleve”, madje ftoi edhe emigrantët të ktheheshin në vendlindje për të investuar.

Në fund, si për t`i vënë kapak të gjithave, shteti çon fadromat në mes të sezonit turistik dhe rrafshon ndërtimet, shumë prej të cilave janë mundi i një jete të tërë ose kredira që duan dekada të paguhen në bankat tona gjakpirëse.

Pse i bën shteti të gjitha këto?

Dy janë përgjigjet e mundshme; ose sepse nuk i intereson fare turizmi dhe mirëqenia e komunitetit lokal, ose se ka axhendë tjetër dhe aty kërkon të “mbjellë” Paketën e Maleve” me investitorë strategjikë. Tani për tani askush nuk e di por koha do ta tregojë.

Ndoshta e bën edhe sepse deri tani nuk ka pasur as forcën as dëshirën për të vënë nën kontroll paligjshmërinë por befas është zgjuar dhe do të tregojë dhëmbët.

Le të kthehemi tek banorët e Thethit.

Historia e Thethit turistik të postkomunizmit filloi kur GIZ (ish-GTZ) i mësoi malësorët se si t`i kthenin kullat në bujtina dhe historitë e tyre me kreshnikë e zana, t`ua tregonin turistëve mbëmjeve ndanë zjarrit. Dhe përsa kohë Thethi kishte vetëm kullat për bujtina, ishte një mrekulli turistike – pa rrugë vërtet – por plot me gjermanë që mahniteshin me këtë bukuri tronditëse, që gdhiheshin mëngjesve duke shijuar gatimet e thjeshta të Nanë Lules së Gjeçajve, apo të bujtinës së Harushajve, Rupajve e kështu me radhë, dhe merrnin në këmbë shtigjet për tek Ujvara a tek Syri i Kaltër, ku sot gëlojnë furgonat.

Pastaj dalëngadalë, turistët u shtuan e po ashtu edhe oreksi i thethjanëve për të fituar më shumë e për të mos i lënë turistët të ktheheshin mbrapsht. E kështu filluan duke shtuar dhoma (domethënë kolibe druri) dhe duke blerë ushqime në qytet, sepse të gjithë u bënë bujtinarë dhe i braktisën bagëtitë prej nga vinte bylmeti. Derisa erdhi një ditë që në Theth kishte më shumë kolibe druri se kulla.

Petrit dhe Aida Gjeçaj, çifti i Familjes Gjeçaj, janë ndër pionierët e parë të turizmit në Theth. Kur Petriti ndërtonte faqe interneti për Thethin me emrin Thethi Guide, shumë prej atyre që kanë ndërtuar sot barakat në Theth, nuk e dinin ku binte turizmi dhe shumë prej bujtinave nuk pranonin as të futeshin në këtë faqe e jo më fjala vjen të jepnin kontribut për mbajtjen e saj. Kur Petriti shenjonte shtigjet e Thethit dhe Aida bënte udhërrëfyesen për turistët e huaj, duke e çuar famën e Thethit deri në Amerikë e Japoni, thethjanët kishin ra të gjithë në Shkodër, duke kërkuar punë në ndërtim. Kur numri i turistëve në Theth u shtua, Petriti nuk bëri vila druri nga 10 mijë euro copa, që ngriheshin për dy ditë por mori kredi dhe ndërtoi një kullë tjetër dhe rindërtoi kullën e familjes sipas modelit të vjetër. Dhe kjo punë i hëngri jo pak por pesë vjet dhe një thes me borxhe, që ende nuk i ka shlyer.

Kur turistët u shtuan më shumë dhe nuk kishin ku të hanin, që të mos blinin patatina në market, Aida ngriti një restorant, me konstruksione të lehta druri e panele diellore, duke ofruar vetëm gatimet e vendit e duke mos bërë kompromis me lëndën e parë, edhe pse shumë e vështirë për ta siguruar në malësi tashmë.

Kur me shtrimin e rrugës ndërtimet e drurit po përmbytnin Thethin, Boga u marros pas trekëndëshit barabrinjës të Arbanës dhe zuri të ndërtonte shtëpi kineze, Aida u bë zëri që kërkonte të ruhej Thethi i dikurshëm, ai i kullave dhe trashëgimisë. Dhe bashkëfshatarët e saj, në vend që t`i thërrisnin mendjes për dëmin e pariparueshëm që po i bënin Thethit, i binin Aidës “pse flet kundër nesh”. Kur Aida pranoi të ishte e ftuara e kryeministrit në podkastin e tij, edhe pse kërkoi të njëjtat gjëra që kishte kërkuar jashtë studios – të ruhej Thethi i kullave dhe t`u jepej pronësia banorëve, bashkëfshatarët e saj prapë e akuzuan si pjesë të qeverisë.

Kur qeveria në vend që t`u jepte çertifikatat që premtoi, erdhi e ua shembi kolibet e drurit, banorët nuk i ranë qeverisë, që ua ktheu në gërmadha brenda natës kursimet e një jete, pasi ua la po vetë t`i ndërtonin paligjshmërisht. Ata i ranë Aidës se kishte folur kundër tyre, në mbrojtje të trashëgmisë së Thethit. Aida është armiku. Asaj t`i biem.

Malësorët e Thethit nuk i kthehen dot qeverisë, që në fillim i lejon të shkelin ligjin, pastaj u premton që do t`ua falë shkeljen, pastaj e ha fjalën dhe u sjell fadromat t`u rrafshojnë bizneset.

Ata qajnë e qurraviten para uniformave të shtetit, të pafuqishëm ta zmbrapsin atë por trimërohen me pishtar në dorë para restorantit të Aidës, pa e kuptuar që shteti i ka thyer në armiq të njëri-tjetrit, ata, që duhet të jenë një komunitet më një zë të vetëm, duke u bërë dëmin më të madh; humbjen e identitetit të malësorit dhe shkatërrimin e Thethit si destinacion turistik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu