Për herë të parë është themeluar Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë, një nismë që synon të rrisë ndikimin ndaj institucioneve vendimmarrëse dhe të kontribuojë në hartimin e politikave kulturore për letërsinë. Krijimi i forumit vjen pas debatesh të vazhdueshme mbi të drejtat e autorit, konkurset letrare dhe mënyrën e shpërndarjes së çmimeve, çështje që shpesh kanë mbetur pa zgjidhje afatgjatë.

Shkrimtari Stefan Çapaliku ngriti shqetësimin për gjendjen e leximit publik në Shqipëri, duke theksuar se libri ende nuk ka arritur të zërë vendin që meriton, edhe pas dekadash tranzicion.

“Gjendja e leximit publik në Shqipëri është gjithnjë më e mjerë dhe problematike. Produkti i shkrimtarit, që është libri, ende nuk ka arritur të gjejë vendin e vet. Duhet të nxisim nisma shumëplanëshe dhe një marrëveshje ndërqeveritare për librin, si edhe një memorandum për tregun e përbashkët të librit shqip”, u shpreh Çapaliku.

Forumi synon të shërbejë si një hapësirë ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare bashkohen për të ndërtuar ura bashkëpunimi kulturor, jo vetëm në territoret shqipfolëse, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Sipas shkrimtarit Lulëzim Haziri, iniciativa është një hap drejt trajtimit të letërsisë shqipe si një e tërë, pa barriera administrativë.

“Është një punë e mirë, sepse tenton që letërsia shqipe të shihet si e unifikuar, si një letërsi që nuk ka kufij administrativ. Do të kemi shumë punë për lidhjen mes autorëve, shtëpive botuese dhe ministrive të kulturës”, tha ai.

Ndërsa Mark Pashku theksoi se forumi do të ndihmojë në mbrojtjen dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare, duke synuar unifikimin e saj përmes një gjuhe të përbashkët letrare.

“Forumi ka qëllime shumë të mira, që do ta mbrojnë dhe do ta shtyjnë përpara letërsinë shqiptare, duke synuar unifikimin e saj”, deklaroi Pashku.

I konceptuar si një platformë dialogu, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë pritet të luajë një rol më aktiv në adresimin e sfidave të sektorit dhe në forcimin e identitetit kulturor shqiptar përmes librit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu