Trupi gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit e urdhëroi mbrojtjen që mocionin për rrëzimin e akuzave ta dorëzojë deri më 2 qershor, ose 14 ditë pas vendimit të fundit të trupit gjykues lidhur me provat e prokurorisë.

Ndërkaq, urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që përgjigjen e saj ta dorëzojë deri më 1 korrik 2025, ose brenda një muaji nga mocioni i mbrojtjes.

Konferenca mbi ecurinë e cështjes sot ishte e para prej mbylljes së çështjes së prokurorisë në mesin e këtij muaji.

Ish-eprorët e UÇK-së të cilët ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.

Gjyqi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

“Trupi gjykues urdhëron mbrojtjen të dorëzojë mocionin e përbashkët sipas rregullës 130 të hënën, 2 qershor 2025 ose brenda 14 ditësh pas vendimit të fundit të trupit gjykues për pranimin e provave, cilado qoftë e fundit, ZPS-ja urdhërohet të dorëzojë përgjigjen e konsoliduar përmbledhëse pra deri të martën 1 korrik 2025 ose brenda 30 ditësh nga mocioni i mbrojtjes sipas rregullës 130, cila do të jetë më e fundit. Siç përcaktohet në rregullën 130 (2) nuk do të shqyrtohen kundërpërgjigjet”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

Smith tha se trupi gjykues miratoi shtimin e numrit të fjalëve për mocionin e përbashkët të mbrojtjes sipas rregullës 130 “pra e shton me 20 mijë fjalë, ndërsa përgjigjes së ZPS-së ja shton numrin e fjalëve po ashtu 20 mijë fjalë”.

Mbrojtësi i viktimave u urdhërua të dorëzojë jo më vonë se të mërkurën më 28 maj 2025 një listë të dëshmitarëve të propozuar qe do të thirren “nëse trupi gjykues del me përfundimin se do të ketë një çështje për të gjykuar më tej”.

Në këtë konferencë palët u urdhëruan të njoftojnë trupin gjykues që deri më 9 qershor nëse do t’i kundërshtojnë provat e mbrojtësit të viktimave.

Gjithashtu, trupi gjykues ftoi ekipet mbrojtëse që të koordinohen me personat brenda zyrës administrative që “të zgjidhin problematikat që janë me telefonatat me të afërmit”.

Të mërkurën avokatët thanë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po përballen me vështirësi të vazhdueshme për të komunikuar me familjet e tyre përmes telefonit.

Siç treguan avokatët, ka në vazhdimësi ndërprerje gjatë bisedave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu