Autoritetet italiane kanë arrestuar nëntë persona në një operacion të gjerë antiterrorist, nën dyshimin se kanë kanalizuar rreth 7 milionë euro drejt organizatës terroriste Hamas, përmes tre shoqatave të ashtuquajtura bamirësie. Operacioni u zhvillua nga Digos në bashkëpunim me Guardia di Finanza, nën koordinimin e Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm .

Sipas hetimeve, fondet mblidheshin zyrtarisht për ndihmë humanitare për popullsinë palestineze, por përfundonin në struktura të lidhura drejtpërdrejt me Hamasin, përfshirë edhe përfaqësues të qeverisë de facto në Gaza. Në qendër të hetimit është Mohammad Hannoun, i konsideruar nga prokuroria si drejtues i qelizës italiane të Hamasit.

Të arrestuarit akuzohen për bashkim me qëllime terroriste edhe ndërkombëtare dhe për financim të terrorizmit, me transferta të realizuara përmes bonove bankare dhe kanaleve të tjera ndërkombëtare, drejt Gazës dhe organizatave të shpallura ilegale nga Izraeli .

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e cilësoi operacionin si “shumë të rëndësishëm”, duke theksuar se nën petkun e bamirësisë fshiheshin aktivitete që mbështesnin drejtpërdrejt terrorizmin islamist .

Prokuroria theksoi se hetimet nuk zbehin krimet ndaj popullsisë palestineze, por se këto nuk mund të justifikojnë aktet terroriste, përfshirë sulmin e 7 tetorit 2023 në Izrael, të atribuar Hamasit .

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu