Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë ka goditur Stambollin, duke plagosur të paktën 151 persona në incidente të shkaktuara nga paniku, asnjë prej të cilëve nuk pësoi plagë të rrezikshme për jetën, raporton Anadolu.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), epiqendra e tërmetit ishte në lagjen Silivri të Stambollit.

Tërmeti goditi në orën 12:49 me orën lokale dhe u ndje fuqishëm në të gjithë Stambollin, ku banojnë mbi 15 milionë njerëz, duke çuar banorët të largohen nga ndërtesat të frikësuar.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, njoftoi se tërmeti ndodhi në një thellësi prej afër 7 kilometrash dhe zgjati 13 sekonda.

Zyra e guvernatorit tha se 151 qytetarë u plagosën pasi nga paniku u hodhën nga lartësitë dhe se trajtimi i tyre po vijon në spitale, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Dy dridhje të tjera, të dyja me magnitudë 4.9 ballë, pasuan tërmetin kryesor, fillimisht në ora 13:02 dhe më vonë në ora 15:12 me orën lokale, me epiqendër në brigjet e Büyükçekmece-s në Detin Marmara.

AFAD tha se pas vlerësimit të raportimeve të marra nga Qendra e Thirrjeve Emergjente 112, aktualisht nuk ka raportime për viktima apo shkatërrime.

Agjencia turke tha se të gjitha institucionet përkatëse dhe ekipet e reagimit janë mobilizuar dhe skanimet në terren po zhvillohen për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë publike.

Zyra e guvernatorit të Stambollit tha se deri më tani “nuk është marrë asnjë raport për shkatërrime” dhe se njësitë përkatëse po vazhdojnë përpjekjet e tyre të skanimit në terren.

Zyra e guvernatorit paralajmëroi qytetarët që të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara ose që dyshohet se janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit, të shmangin përdorimin e automjeteve nëse nuk është e nevojshme dhe të përmbahen nga përdorimi i rrjeteve celulare, përveç rasteve emergjente.

Gjithashtu, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se “po monitorojmë nga afër zhvillimet”.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve, Erdoğan u informua për tërmetet nga ministri i brendshëm, ministri i mjedisit, ministri i shëndetësisë, si dhe kreu i AFAD-it dhe guvernatori i Stambollit.

“Fatmirësisht, nuk duket se ka një situatë shqetësuese për momentin”, tha Erdoğan./ANAdolu ajensi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu