
Një tërmet me magnitudë 3.9 ballë të shkallës Rihter është regjistruar paraditen e sotme në juglindje të Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake, lëkundja sizmike ka ndodhur në orën 11:28 me orën lokale, me epiqendër rreth 18 kilometra në jugperëndim të Pogradecit dhe 56 kilometra në juglindje të Elbasanit. Tërmeti ka pasur një thellësi rreth 15 kilometra.
Lëkundjet janë ndjerë nga banorët e zonës së Korçës, Pogradecit dhe rrethinave, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Qytetarë të shumtë kanë konfirmuar ndjesinë e tërmetit edhe përmes aplikacioneve ndërkombëtare të monitorimit sizmik.
Institucionet përkatëse vijojnë monitorimin e situatës.






