
Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi mbrëmjen e sotme provincën Balıkesir, në perëndim të Turqisë, me epiqendër në rrethin e Sındırgı. Lëkundjet u ndjenë deri në Stamboll dhe Izmir.
Rreth dhjetë ndërtesa u shembën në Sındırgı, ndërsa në fshatin Gölcük ranë disa shtëpi dhe një minare xhamie. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë pesë persona nga rrënojat, mes tyre një grua e moshuar, ndërsa një tjetër person vijon të jetë i bllokuar. Katër të plagosur ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet kanë paralajmëruar banorët të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, pasi janë regjistruar disa pasgoditje, më e forta me magnitudë 4.6. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan shprehu solidaritet me të prekurit dhe uroi për pasoja sa më të vogla njerëzore.