
Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi mbrëmjen e së dielës rajonin malor lindor të Afganistanit, duke shkaktuar tragjedi të mëdha.
Epiqendra e lëkundjes u regjistrua 27 km larg qytetit Jalalabad, në provincën Nangarhar, dhe u ndje deri në Kabul, rreth 140 km larg.
Krahas Nangarharit, tërmeti ka goditur rëndë edhe provincat Kunar dhe Laghman.
Ministria e Brendshme e talebanëve konfirmoi se numri i viktimave ka arritur në 610 persona, ndërsa mbi 1,300 të tjerë janë plagosur.
Operacionet e shpëtimit po zhvillohen me vështirësi për shkak të rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugët drejt epiqendrës. Për pasojë, autoritetet janë detyruar të përdorin helikopterë për të evakuuar të mbijetuarit dhe për të transportuar të plagosurit.
Banorët raportojnë se lëkundjet e forta kanë shkatërruar qindra banesa, duke lënë shumë njerëz nën rrënoja. Shpëtimi dhe ndihma humanitare pritet të jenë të ngadalta, pasi terreni malor është i vështirë për t’u arritur.
Ky është një nga tërmetet më vdekjeprurëse që ka goditur Afganistanin në vitet e fundit.