
Kretë, Greqi – Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë ka goditur ishullin e Kretës mëngjesin e sotëm, më 22 maj 2025, rreth orës 05:20 sipas orës lokale në Shqipëri (06:19 në Greqi). Tërmeti u regjistrua nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe ndodhi në një thellësi prej 75 kilometrash.
Epiqendra ndodhej 80 kilometra në verilindje të Iraklionit dhe 61 kilometra në veri të Ágios Nikólaos. Goditja u ndje në shumë zona të Greqisë dhe raportime për lëkundje janë bërë edhe nga vende fqinje.
Pas tërmetit është lëshuar një paralajmërim për cunami, me njoftime zyrtare nga institucionet sizmologjike të Francës (CENALT), Greqisë (NOA), Turqisë (KOERI), Italisë (INGV) dhe Portugalisë (IPMA).
Banorët dhe turistët janë këshilluar të qëndrojnë larg vijës bregdetare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për çdo rrezik të mundshëm pasgoditjeje apo lëvizjeje të nivelit të detit. Sipas autoriteteve për shkak të thellësisë së epiqendrës ka pak gjasa për dëme.
Më shumë se 600 persona kanë komentuar në platformën e EMSC duke raportuar se e kanë ndjerë tërmetin. Nuk ka ende informacione zyrtare për dëme materiale apo viktima. Lëkundjet janë ndjerë deri në Izrael, Egjipt dhe Qipro e Libi. Javën e kaluar ishulli i Kretës u godit nga një lëkundje e ngjashme por me magnitudë më të vogël 5.9 Rihter dhe i pasuar nga paralajmërim për cunami.