
Ish-deputeti Murrizi reagon pas debatit publik për rikthimin e tij në Kuvend – “Nuk jam Nesti Angoni, por Myslim Murrizi, dhe nuk fus askënd në burg. Ata që kanë vjedhur, do ta nxjerrin vetë haramin nga hundët.”
Pas deklaratës së tij se do të jetë në Parlament nga shtatori, Myslim Murrizi ka reaguar për të gjithë ata që, sipas tij, “u habitën apo u trembën” nga kjo deklaratë. Në një mesazh të gjatë publik, ai sqaron pozicionin e tij politik dhe kritikon ashpër ata që kanë përdorur pushtetin për përfitime personale.
“Unë nuk jam Nesti Angoni, por Myslim Murrizi. Nuk fus njerëz në burg, nuk jam prokuror e as gjyqtar. Por çdo gjë që kam thënë për politikën, më është vërtetuar më pas,” – shprehet ai, duke përmendur raste si Ilir Beqaj, Ilir Meta dhe Erion Veliaj.
Murrizi thekson se ka qenë ndër të paktët politikanë që ka kërkuar një Kod Penal europian, duke hedhur poshtë “mentalitetin komunisto-bolshevik” që, sipas tij, ende mbizotëron në drejtësinë shqiptare. Ai kërkon konfiskim pasurie për zyrtarët që kanë abuzuar me taksat e qytetarëve dhe ndalim të përjetshëm për të ushtruar funksione publike.
“Kush ka vjedhur taksat e shqiptarëve, do e nxjerrë haramin nga hundët, jo nga goja,” shprehet ai me tone të ashpra, ndërsa i drejtohet të gjithë atyre që “kanë dekada që i fshihen votës së shqiptarëve duke kapur karrige me pazare politike”.
Ndaj kritikëve brenda Partisë Demokratike, Murrizi është edhe më i drejtpërdrejtë: “Të gjithë ata drejtues qarqesh që kanë marrë më pak vota se në 2013, 2017 apo 2021, duhet të çohen e të ikin. Të mos e mbajnë më peng PD-në me pazare për një karrige të qelbur.”
Ai kujton një bisedë me Sali Berishën, duke deklaruar se “nga 3 emra që i ka dhënë atij për arrestime të mundshme në korrik 2023, dy janë sot në burg dhe i treti ‘nuk e kap shtatorin’”.
Për ta mbyllur deklaratën e tij, Myslim Murrizi fton të gjithë skeptikët që të “presin dhe shohin”, sepse 7289 votat që ka marrë nuk janë blerë, lobuar apo drejtuar nga askush. Ai paralajmëron se do të jetë në Parlament pikërisht falë këtyre votave, “vota shpirtërore”, siç i quan.