
Një tjetër histori tronditëse dhune ndaj kafshëve ka marrë fundin më të dhimbshëm. Shoqata “Animals Need Me Shkodër” njoftoi të enjten se Teo, qeni që një muaj më parë u torturua barbarisht nga pronari i tij, ka ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda dhe traumës së thellë që i ishte shkaktuar.
Sipas shoqatës, ndonëse plagët e jashtme u trajtuan menjëherë, dëmtimet e brendshme të shkaktuara nga tërheqja zvarrë me makinë kanë rezultuar fatale. Teo kishte një javë që nuk merrte ushqim dhe mbahej në jetë vetëm me serume, derisa zemra e tij nuk arriti të përballonte më pasojat e dhunës.
Shoqata falënderon veterinerin Dr. Sokol Malaj për përkushtimin njëmuajsh pa pagesë, duke theksuar se pavarësisht kujdesit mjekësor të pandërprerë, dëmi që i ishte shkaktuar kafshës ishte i pariparueshëm.
Pas vdekjes së Teos, “Animals Need Me Shkodër” i kërkon zyrtarisht Prokurorisë rihapjen e çështjes penale, duke argumentuar se tashmë ka një pasojë të re dhe më të rëndë: vdekjen e kafshës si rezultat i torturës.
“Drejtësia duhet të veprojë. Vetëm kështu mund të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla mizorie,” thuhet në reagimin e shoqatës.
“Pusho në paqe, Teo. Nuk e meritoje këtë fund.”







