
Një ngjarje e rëndë e dhunës në familje është regjistruar këtë të shtunë në Durrës, ku një 76-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij, duke e goditur me shkop druri në kokë.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit, në lagjen nr. 17, pas një konflikti për motive të dobëta. I dyshuari, me iniciale A. R., ka ushtruar dhunë të rëndë fizike ndaj bashkëshortes së tij, F. D., 70 vjeçe, duke e goditur disa herë me një send të fortë.
Si pasojë e goditjeve, e moshuara ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes mjekësor.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit për një rast dhune në familje, kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës me pasoja fatale për jetën.
Në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, 76-vjeçarit A. R.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja rikthen në vëmendje problematikën e dhunës në familje, e cila vijon të mbetet një shqetësim serioz shoqëror.




