Portet greke janë një nga zonat më pak të njohura, por më të nxehta të përplasjes strategjike të vazhdueshme, midis SHBA-së dhe Kinës. Më 27 nëntor, Parlamenti i Athinës autorizoi zgjerimin e porteve dhe kantiereve detare në Eleusis, një qytet industrial 20 kilometra në lindje të Athinës, të cilat u blenë nga kompania amerikane Onex në vitin 2023. Grupi amerikan ka marrë në përdorim edhe 40 hektarë shtesë, gjë që do t’i lejojë të zgjerojë aktivitetet, përtej ndërtimit të anijeve, për të përfshirë sektorët tregtarë, logjistikë, energjitikë, portualë dhe ushtarakë. Vendndodhja e Eleusis, afër një aeroporti ushtarak dhe një qendre kryesore hekurudhore, e bën atë një vendndodhje ideale në shumë aspekte.

Por rëndësia e vërtetë e qytetit qëndron diku tjetër: afërsia e tij me portin e Pireut, 67% në pronësi të kompanisë shtetërore kineze Cosco dhe e përshkruar nga udhëheqësi i Pekinit Xi Jinping si “koka e Dragoit”. Me fjalë të tjera, zhvillimi i portit dhe ndërtimit të anijeve të Eleusis mund të jetë një urë lidhëse vendimtare për Shtetet e Bashkuara për t’iu kundërvënë drejtpërdrejt ndikimit kinez në Mesdhe, një komponent thelbësor strategjik i Rrugës së Re të Mëndafshit.

Cosco mori menaxhimin e Pireut në vitin 2016, me një koncesion të vlefshëm deri në vitin 2052, dhe që atëherë ka rritur vazhdimisht kapacitetin e tij, duke e bërë atë, në vitin 2023, portin e katërt më të madh të kontejnerëve në Evropë.

E porsa mbërritur së fundmi në Athinë, ambasadorja e re SHBA-së në Greqi, ish-partnerja e Donald Trump Jr. dhe ish prezantuesja e Fox News, Kimberly Guilfoyle, menjëherë ngriti tensionet, duke e quajtur “të dënueshëm”, faktin që një strukturë kaq kyçe si Pireu është në duart e Kinës, konkurrentja kryesore e SHBA-së.

Kundërpërgjigja ishte e shpejtë. Ambasada Kineze në Athinë i quajti deklaratat e Guilfoyle “ndërhyrje serioze në punët e brendshme greke”, duke e akuzuar atë se “kërkon të minojë stabilitetin”, dhe se “Pireu nuk duhet të jetë viktimë e një konflikti gjeopolitik”.

Kryeministri konservator grek Kyriakos Mitsotakis është në telashe serioze. Ai pohon se “marrëveshjet e lidhura nga qeveritë e kaluara duhet të respektohen”, por nga ana tjetër, ai po përpiqet të qetësojë administratën Trump, duke premtuar se “do të ketë mënyra të tjera për të bashkëpunuar me amerikanët”.

Sipas mediave greke, Uashingtoni është gjithashtu i interesuar që grupet amerikane të blejnë porte të tjera greke, të tilla si Volos, në Greqinë qendrore, dhe veçanërisht Aleksandropoli, pranë Detit të Zi, ku tashmë ka një bazë amerikane dhe një terminal LNG për marrjen e gazit të lëngshëm.

Hendeku aktual i kapacitetit midis Eleusis dhe Pireut është i madh, me të parin që kap një xhiro prej vetëm 5 milionë eurosh në vit, ndërsa porti i Pireut arrin në rreth 235 milionë euro në vit. Megjithatë, planet e rritjes së Onex janë shumë ambicioze. Sipas ekspertëve, Eleusis do të përdoret kryesisht për ngarkesa teknologjikisht të ndjeshme dhe ushtarake, për të shmangur rrezikun e spiunazhit kinez./

Corriere della Sera

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu