
MINNEAPOLIS – Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka autorizuar aktivizimin e Minnesota National Guard për të mbështetur forcat vendore të rendit, ndërsa tensionet janë rritur në zonën e Minneapolis pas vrasjes së një gruaje nga një agjent i ICE.
Sipas zyrës së guvernatorit, Garda Kombëtare do të ndihmojë në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe në ruajtjen e sigurisë publike. Walz deklaroi se trupat “janë gati nëse do të nevojiten për të ruajtur rendin dhe për të garantuar zhvillimin e protestave paqësore”.

Ngjarja që nxiti protestat ndodhi një ditë më parë, kur një agjent i ICE qëlloi për vdekje Renee Nicole Good, 37 vjeçe. Hetimi i çështjes ka kaluar në duart e FBI, ndërsa Byroja e Hetimeve Kriminale e Minesotës u tërhoq nga procesi. Guvernatori Walz theksoi se “Minesota duhet të jetë pjesë e këtij hetimi”.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka mbështetur publikisht qëndrimin e administratës Trump, duke mbrojtur veprimet e agjentit dhe duke fajësuar “të majtën ekstreme” për sulme ndaj forcave të rendit. Ai e cilësoi vrasjen si një “tragjedi të shkaktuar nga vetë viktima”, deklaratë që ka nxitur reagime të forta.

Autoritetet shtetërore dhe lokale kanë kundërshtuar pretendimet se të shtënat ishin në vetëmbrojtje. Pamje video të publikuara nga mediat amerikane tregojnë se rrethanat mbeten të paqarta dhe se ajo që ka ndodhur para momentit fatal është ende objekt hetimi.

Ndërkohë, protestat në Minneapolis janë intensifikuar, me përplasje sporadike mes protestuesve anti-ICE dhe mbështetësve të politikave të emigracionit. Forcat federale dhe policia lokale kanë ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.



