
Një situatë e tensionuar dhe e paprecedentë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në ambientet e Komisariatit Nr. 1 të Tiranës, pas përfundimit të protestës së opozitës.
Sipas raportimit të Euronews Albania brenda komisariatit ka pasur përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike, familjarëve të protestuesve dhe forcave të policisë, duke e agravuar ndjeshëm situatën.
Nga pamjet e publikuara nga mediat shihet se në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë “Shqiponja”, për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Sipas të njëjtit burim, brenda ambienteve të komisariatit ndodhen deputetët e PD-së Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi dhe Bledi Himçi.
Situata raportohet të ketë qenë e acaruar dhe e tensionuar për disa minuta, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjen.



