
Tiranë, 19 janar 2026 – Seanca e parë e sesionit të dytë parlamentar është shoqëruar me tensione dhe është mbyllur pas një kohe shumë të shkurtër, pas përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës.
Në fjalën e tij në sallën plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi nisjen e sesionit si një moment krenarie për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke iu referuar ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Kryeministrin Edi Rama dhe Shqipërinë që t’i bashkohen një organizmi të ri ndërkombëtar, “Bordi i Paqes”, në cilësinë e vendit anëtar themelues.
Balla u shpreh se ky është një zhvillim i rëndësishëm për Shqipërinë dhe kërkoi që edhe opozita ta vlerësojë këtë moment.
“Do ta vlerësoja maksimalisht që edhe Partia Demokratike, apo ajo që ka mbetur nga dikur PD-ja, ta vlerësonte këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Balla.
Ai akuzoi opozitën për përhapje të lajmeve të rreme lidhur me ftesën, duke thënë se fillimisht u mohua ekzistenca e saj dhe më pas u relativizua rëndësia e këtij zhvillimi.
Sipas Ballës, ftesa nuk lidhet me faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s apo e OKB-së, por me marrëdhënien e besimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij, Balla iu drejtua opozitës edhe për reformat kryesore, duke theksuar se mazhoranca nuk ka kohë për vonesa.
“Dëgjojeni mirë: kohë për të humbur me ju kemi zero. Doni të vini të bëjmë reformën administrative-territoriale dhe reformën zgjedhore? Jeni të mirëpritur. Nëse nuk vini, i kemi bërë dhe do t’i bëjmë edhe pa ju”, deklaroi ai.
Seanca plenare u ndërpre dhe u mbyll pas pak minutash, mes tensioneve dhe debateve në sallë, ndërsa punimet parlamentare pritet të vijojnë në ditët në vijim.



