Marrëdhëniet mes Italisë dhe Francës kanë hyrë në një moment tensioni diplomatik pas deklaratave të forta të zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini ndaj presidentit francez Emmanuel Macron.

Ministria e Jashtme franceze thirri të premten ambasadoren e Italisë në Paris, Emanuela D’Alessandro, duke i shprehur pakënaqësinë për “deklaratat e papranueshme” të Salvinit, të cilat, sipas diplomacisë franceze, bien ndesh me klimën e besimit dhe marrëdhëniet historike mes dy vendeve.

Deklaratat u bënë pas pyetjeve të gazetarëve në Milano, lidhur me mundësinë që Italia të dërgojë trupa në Ukrainë, në rast të një armëpushimi. Salvini u përgjigj me tone ironike:
“Nëse Macron e dëshiron aq shumë, mund të shkojë vetë, të vërë përkrenaren dhe të marrë pushkën në dorë.”

Ky nuk është rasti i parë që lideri i Lega-s sulmon presidentin francez. Në mars, ai e kishte cilësuar Macron “të çmendur”, duke e akuzuar se po shtyn Evropën drejt një lufte me Rusinë.

Franca dhe Britania kanë shpallur idenë e një “aleance të gatshme” për të dërguar kontingjente trupash në Ukrainë si garanci sigurie në rast të një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës. Italia, nga ana e saj, përmes kryeministres Giorgia Meloni, ka refuzuar këtë opsion, duke shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu