
Nivelet rekord të gazeve serrë ndihmuan në rritjen e temperaturave në një nivel të lartë historik në vitin 2024. Kjo sipas shkencëtarëve ka përshpejtuar humbjen e akullnajave, duke ngritur nivelet e detit dhe duke e afruar botën më afër një pragu kritik te ngrohjes, sipas OKB-së.
“Temperaturat mesatare vjetore qëndruan në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale vitin e kaluar, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2023 me 0.1 gradë Celcius”, tha Organizata Botërore Meteorologjike në raportin e saj vjetor të klimës.
Vendet ranë dakord në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 që të përpiqen të kufizojnë rritjen e temperaturës brenda 1.5 gradë Celcius mbi mesataren e viteve 1850-1900. Vlerësimet paraprake vendosin rritjen aktuale mesatare afatgjatë midis 1.34-1.41 gradë Celsius, por duke mos e tejkaluar ende pragun e Parisit.
“Treguesi ynë i parë kyç është përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë. Kjo tregohet çdo vit në grafikun nga viti 1984 deri në 2023. Dhe mund të shihni se është rritur nga viti në vit, duke arritur një rekord të lartë në 2023, që është viti i fundit i vlerave të larta globale që kemi. Në të vërtetë në nivelet e dioksidit dhe oksidi i azotit, arritën nivelet e tyre më të larta në të paktën 800,000 vitet e fundit”, u shpreh koordinatori shkencor John Kennedy.
Raporti tregon se faktorë të tjerë mund të kenë nxitur gjithashtu rritjen e temperaturës globale vitin e kaluar, si përshembull shpërthimet masive vullkanike.
Ndërsa një numër i vogël rajonesh panë rënie të temperaturave, moti ekstrem shkaktoi dëme të konsiderueshme në të gjithë globin me përmbytje dhe zjarre që detyruan zhvendosjen e mijëra njerezve.
“2024 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar me 1.55 plus ose minus 0,13 gradë mbi mesataren e viteve 1850 deri në 1900. Një gjë që duhet theksuar shumë qartë është se një vit i vetëm mbi 1.5 gradë nuk do të thotë se niveli i përmendur në Marrëveshjen e Parisit ishte tejkaluar zyrtarisht. Marrëveshja e Parisit zakonisht merret për t’iu referuar mesatareve afatgjata, një lloj mesatare shumëvjeçare”, tha Kennedy.
Nxehtësia e oqeanit ishite gjithashtu ndër më të lartat dhe shkalla e ngrohjes po përshpejtohet.
Akullnajat vazhdojnë të shkrihen me një ritëm të shpejtë. Nga 2015 deri në 2024, niveli i detit është rritur mesatarisht me 4.7 milimetra në vit, krahasuar me 2.1 milimetra nga viti 1993 deri në 2002, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore Meteorologjike.
“Nga ngrohja e oqeaneve dhe gjithashtu si pasojë e shkrirjes se akullit, niveli i tyre po rritet. Duke filluar nga viti 1993 deri në 2024 ka një rritje të vazhdueshme të nivelit të detit dhe në 2024 niveli global i deteve arriti një rekord të lartë nga niveli i vitit 2021”, tha oqeanografja Karina von Schuckmann.
Ekspertët paralajmërojnë për pasojat afatgjata të shkrirjes së akullit në Antarktidë./Klan News