Temperaturat që po mbretërojnë në ditët e fundit, mbi 30 gradë Celsius, kanë nisur t’i shqetësojnë bujqit. Ata druajnë se i nxehti i madh do t`ia humbë peshën specifike grurit. Andaj, vlerësohet se mund të ketë ulje të prodhimit të grurit nga 20 deri në 30%.Profesori Universitar i Bujqësisë, Imer Rusinovci, tha se nga kjo, mund të kemi ulje të prodhimit nga 20 deri në 30%. “Kjo dukuri përkon me stërpjekjen e grurit ose pjekjen e dhunshme, që quhet vala e nxehtë dhe zakonisht koincidon me reduktim të prodhimit për 20 deri në 30%, varësisht se sa zgjatë kjo ngrohje”, tha për RTK, Rusinovci.Fermeri Valon Vehapi, i cili këtë vit ka të mbjellë me grurë afër 80 hektarë, ngre shqetësimin se nëse ditëve në vijim temperaturat janë të larta, gruri mund ta humbë peshën specifike.
“Në bujqit çka lutemi, gjatë tërë vitit ne lutemi që mos të kemi fundin e majit dhe fillimin e qershorit, ngritja e temperaturave, për arsye se qetash këto ditë, i ka që nga 25 maji, deri me 10 qershor dikund kur gruri e mbush kokrrën, e plotëson, nëse temperaturat janë mbi 30 gradë , gruri fillon edhe e ngut procesin edhe bëhet rrudhja e kokrrës”, tha ai.
Shqetësimin e njëjtë e ka edhe fermeri tjetër, Mehdi Bresilla, i cili ka 4.5 hektar sipërfaqe të mbjella me grurë.
“Unë pres, nëse kushtet normale pres t’i marrë 7500-8000 kg për hektar, po kjo nuk do të ndodhë, sepse nuk do të kemi rendiment fare ose 1000-2000 kg kualitet shumë të dobët edhe krejt kokrra e grurit ka me u shterrë edhe ka me shku bashkë me frymë”, tha ai.
Sipas parashikimit të motit, java në vazhdim do të arrijë temperatura rreth 30 gradë. Instituti Hidrometeorologjik po ashtu thekson se shkalla e avullimeve është e lartë dhe në këto temperatura të larta edhe humbjet e sasive të lagështisë të cilat u formuan si rezerva gjatë muajit maj janë duke humbur, mesatarisht 5 litra për metër katrorë, gjë që edhe kushtet agrometeorologjike thuhet se janë duke u keqësuar.