Nën siglën “Shtëpia jonë e re” çeli dyert sot për të gjithë vogëlushët dhe jo vetëm, Teatri Kombëtar i Kukullave, në zemër të sheshit “Skënderbej”. Pas shume vitesh mungesë, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti, por edhe të amortizimit të mëparshëm, teatri vjen me infrastrukturë tërësisht të rilindur, në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional, me teknologji moderne dhe imazh të kuruar në detaje.

yacht hotel sarande

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në shfaqen simbolike që shënoi rinisjen e aktivitetit artistik në ndërtesën e re.

 

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje dhe atyre që janë më të vegjël, por që janë arsyeja pse jemi sot këtu dhe më vjen shumë mirë që pas një periudhe relativisht të gjatë mbylljeje për shkak të punës që u desh bërë që të shpëtohej kjo godinë, tanimë dyert e saj u hapën dhe aktiviteti i Teatrit do të rifillojë.

Më vjen mirë, po ashtu, që jemi këtu së bashku me miqtë tanë, me partnerët tanë të Bashkimit Europian, të cilët kanë qenë krah për krah me ne, qysh nga mëngjesi i parë pas tërmetit katastrofik që shkaktoi aq shumë dëme dhe që mori dhe jetë njerëzish për fat të keq dhe ndër godinat e dëmtuara ishin dhe një sërë godinash të trashëgimisë kulturore, e për këtë arsye, një program i veçantë u ndërtua në bashkëpunim me ta dhe janë 27 objekte me një vlerë të posaçme për historinë tonë, për kujtesën tonë, që falë këtij programi janë kthyer në sytë dhe duart e qytetarëve dhe komuniteteve shumë më bukur sesa ç’ishin më parë.

Vërtetë tërmeti hapi një vrimë të madhe në tavanin e kësaj godine, por gjendja e saj prej kohësh ishte për të ardhur keq dhe në ndërkohë ne kishim nisur projektin për një tjetër godinë të Teatrit të Fëmijëve që tanimë ka filluar të marrë formë, diku në anën tjetër të bulevardit të Tiranës, aty ku është edhe hyrja në parkun e qytetit dhe që së shpejti do të çelë dyert me hapësira dhe me një program shumë më të gjerë dhe shumë më të larmishëm për fëmijët e të gjitha moshave.

Megjithatë, sidoqoftë, kjo godinë ka një histori, ka një arsye të rëndësishme për t’u mbajtur, për t’u mirëmbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë, një investim që është shumë më shumë sesa çfarë duket në sy të parë sepse siç u pa edhe nga ato pak minuta të dokumentarit, është një  investim në pjesën e padukshme që është dhe pjesa më komplekse e një teatri, gjithçka që gjendet në funksion të skenës dhe patjetër edhe në funksion të kushteve të domosdoshme.

Ky teatër nuk kishte ngrohje dhe ftohje qendrore më parë, sot e ka e kështu me radhë, por përtej këtyre, unë besoj që ky teatër ka një rëndësi të posaçme dhe për faktin që në përgjithësi, qytetet sot, në përgjithësi vendet sot dhe në përgjithësi zhvillimi sot i infrastrukturës dhe i qyteteve vihet në funksion të të gjithëve, por gjithmonë pjesa më problematike është pjesa e fëmijëve.

Ata që janë më pak të përfshirë në zhvillim dhe rezultatet e zhvillimit janë fëmijët, bëhen ndërtime të bukura, bëhen hotele, bëhen resorte, bëhen zyra, por ajo që u mbetet fëmijëve është gjithmonë shumë pak dhe për këtë arsye është gjithmonë më shumë sesa një godinë, më shumë sesa një vepër kur diçka më shumë shtohet në funksion të fëmijëve dhe më vjen shumë mirë që tanimë, së paku kjo derë u hap. Po punojmë përditë që së shpejti të hapim dhe derën tjetër, siç thashë, të Teatrit të madh të Fëmijëve dhe do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira, të krijojmë sa më shumë mundësi dhe të hapim sa më shumë dyer për aktivitete sa më të larmishme për fëmijët e kryeqytetit, por jo vetëm të kryeqytetit, por për fëmijët në të gjithë Shqipërinë.

Për këtë arsye kemi bërë investime masive për terrene sportive, kemi bërë investime masive për të pasur palestrat në shkolla.

Sot nuk kemi më shkolla që hyjnë në procese ndërtimi apo rindërtimi pa pasur si kusht ndërtimin e palestrës. Për këtë arsye kemi investuar masivisht në laboratorët e rinj të dijes digjitale dhe do të pajisim të gjithë shkollat e Shqipërisë me laboratorët e dijes digjitale, 100 të parët janë tani në funksion. Për këtë arsye kemi po ashtu, bërë çmos që edhe bibliotekat e zhdukura, faktikisht, të rikthehen në hapësirat e shkollave dhe kështu me radhë.

Jam shumë i vetëdijshëm që sado unë të numëroj nga këto, janë shumë e shumë pak në krahasim me sa do të duhet t’i jepte mbrapsht fëmijëve zhvillimi i të gjithë infrastrukturës dhe në tërësi zhvillimi i ekonomisë.

Në mbyllje, dua sinqerisht të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar këtu, konkretisht, që nga arkitektët, tek inxhinierët, tek punonjësit sepse kjo nuk është një godinë e thjeshtë dhe e kemi mësuar tanimë që kur bëhet fjala për të rindërtuar dhe për më tepër për të rindërtuar duke mbrojtur dhe duke nxjerrë në pah vlera të trashëgimisë, procesi është shumë më kompleks sesa ndërtimi i një godine të re prandaj besoj se shumë sinqerisht të gjithë ata që kanë punuar këtu përditë në një kohë relativisht jo të shkurtër meritojnë të gjithë mirënjohjen dhe i meritojnë plotësisht duartrokitjet që ju i dhatë.

Në fund fare, dua të falënderoj të gjithë fëmijët për durimin dhe t’ju kërkoj ndjesë sepse faktikisht sot kanë ardhur në Teatrin e Kukullave dhe nuk kanë ardhur të shohin në skenë kukulla si puna ime, por mbase po të më konsideroni një kukull mund të ndjehem unë pak më mirë sepse përndryshe do të ndjehesha shumë keq.

Këtu ka qenë Parlamenti shqiptar dikur dhe unë uroj që juve të rriteni duke parë sa më pak Parlamentin shqiptar, deri kur të mos keni mundësi më ta evitoni, por përsa kohë keni mundësi ta evitoni, ju lutem shumë ju fëmijëve të na konsideroni kukulla dhe të silleni me ne si me kukullat, por ndryshe nga kukullat tuaja që juve i merrni afër, i përkëdhelni, ne na konsideroni si ato kukullat që është mirë të mbahen larg, që futen në skenë për të krijuar një atmosferë shqetësimi deri kur drita pastaj vjen, muzika fillon prapë dhe ata ikin nga skena.

Kështu që, mund të largohem tani me shumë kënaqësi sepse nuk ka më mirë sesa të shikoni atë në vend se të më shikoni mua dhe ju kërkoj falje dhe për ata që patë para meje sepse mos kujtoni se janë më të mirë se unë.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe aktorëve dhe punonjësve të teatrit, u uroj çdo të mirë, shëndet, pasion, energji sepse kanë një punë shumë të veçantë pasi ka në dorë për pak orë të kujdesen për fëmijët e qytetit edhe është një rrugë e sigurt për të pasur një vend në parajsë, nëse kur i nxirrni te dera fëmijët për t’i çuar nëpër shtëpia ata janë më të gëzuar sesa kur hyjnë brenda. Ndërkohë që nëse fëmijët do të dalin të mërzitur të jeni të sigurt se vendin e keni në ferr.

Faleminderit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu