Një tjetër krisje në politikën e re shqiptare: Pano Soko, një nga figurat kryesore të “Nismës Thurje”, ka njoftuar largimin e tij nga kjo forcë politike, duke mos kursyer kritikat për zhvillimet e fundit brenda koalicionit dhe sidomos për përplasjen mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt.

Përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale, Soko deklaron se mandati i vetëm i fituar nga koalicioni i listave të hapura shkoi për dikë që as e donte, as e kërkoi dhe as u votua për të, duke e cilësuar situatën si “një turpërim të pamerituar” për të gjithë ata që i besuan kauzës.

“Në vetëm një javë bëmë pluhur e hi gjithë atë punë shumëvjeçare… Mandatin e mori një person që hyri në listë fiktive si ‘garante’ dhe sot e sheh veten në parlament, pa e kërkuar ndonjëherë këtë përgjegjësi”, shkruan Soko.

Ai kritikon ashpër kthimin e partisë në një terren intrigash, sherresh për karrige dhe egosh personale që, sipas tij, e kanë zhbërë në themel besimin dhe moralin që predikonte Nisma.

“Ne që shpikëm mekanizmin e listave të hapura, dështuam ta zbatojmë vetë. PSD e Tom Doshit e bëri më mirë se ne”, pranon Soko në mënyrë të hidhur.

Sipas tij, “65 mijë votues sot përfaqësohen nga një person që as i njohin, as i njeh, vetëm sepse ne humbëm busullën dhe u kapëm pas një cope mandati”.

Në fund, Soko thotë se do të largohet nga çdo funksion politik në “Nisma Thurje”, por do të mbetet një qytetar aktiv në çështje ekonomike dhe të luftës kundër korrupsionit, duke vijuar kontributin e tij në jetën publike jashtë partive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu