
Një skenë e pazakontë është regjistruar këtë të diel pranë IEVP-së në Durrës, ku disa të rinj kanë shfaqur postera me fotot e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad, për të cilin mediat ndërkombëtare raportuan se është vrarë në sulmet e fundit në Iran.
Në posterat e mbajtur prej tyre shkruhej “Ngushëllime” dhe “Të pastë lënë baba uratën”. Të rinjtë kanë qëndruar për disa minuta pranë hyrjes së institucionit dhe më pas janë larguar, pa u raportuar incidente.

Ngjarja ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë rikujtuar edhe një tezë të vjetër që qarkullonte vite më parë nga analisti i ndjerë Kastriot Myftaraj, sipas së cilës Veliaj dhe Ahmadinejad kishin jo vetëm një “ngjashmëri” fizike por ish kryebashkiaku ishte djali i ilegjitim i ish presidentit iranian në Shqipëri. Pretendimi kishte marrë formën e meme-ve dhe humorit online por zuri vend edhe në retorikën opozitare, dhe duket se është risjellë në vëmendje në kontekstin e zhvillimeve të fundit.
Sipas raportimeve, disa prej të rinjve kanë shpërndarë simbolikisht edhe hallvë për kalimtarët, si pjesë e ironisë së tyre.






