
Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një aksident i rëndë hekurudhor në jug të Spanjës, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë Adamuz, në provincën e Kordobës.
Sipas autoriteteve spanjolle, aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 19:45 me orën lokale, rreth një orë pasi një tren ishte nisur nga Málaga drejt Madridit. Treni doli nga shinat, kaloi në binarin e kundërt dhe u përplas me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës.

Shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit të dytë. Në total, rreth 400 pasagjerë dhe staf ndodheshin në të dy trenat në momentin e përplasjes.
Shërbimet e emergjencës kanë trajtuar mbi 110 persona, ndërsa 48 prej tyre mbeten të shtruar në spital, përfshirë pesë fëmijë. Nga të shtruarit, 11 persona ndodhen në gjendje kritike në njësitë e kujdesit intensiv.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, deklaroi se bilanci i viktimave nuk është ende përfundimtar dhe e cilësoi aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, duke theksuar se përplasja ndodhi në një segment të drejtë të linjës hekurudhore. Një hetim zyrtar është hapur, por autoritetet bëjnë me dije se përfundimet e para nuk priten për të paktën një muaj.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagonë të dalë nga shinat dhe forca të shumta emergjence, përfshirë zjarrfikës, policinë dhe ekipe mjekësore, që vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Komisioni Evropian ka reaguar duke deklaruar se është në kontakt me autoritetet spanjolle dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë nëse kërkohet.
Autoritetet rajonale u kanë bërë thirrje të mbijetuarve që të kontaktojnë familjarët ose të publikojnë njoftime në rrjetet sociale, për të shmangur panikun dhe mbingarkesën e linjave të emergjencës.






