Përballë temperaturave përvëluese të fillimverës dhe verës, shqiptarët po i drejtohen gjithnjë e më shumë kondicionerëve si zgjidhje e menjëhershme për freski në shtëpi apo në punë. Të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë një “bum” të vërtetë importesh: gjatë 5 muajve të parë të këtij viti janë importuar kondicionerë me një vlerë totale prej 3.047 miliardë lekësh.

Vetëm në muajin maj, importet arritën në 952 milionë lekë, ndërsa në aspektin e peshës, janë futur në vend rreth 3.8 milionë kg kondicionerë, shifër që përbën një rritje me 840 mijë kg më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë monetare, rritja vjetore është 411.6 milionë lekë.

Çmimet? Dyqanet kanë nisur garën e ofertave – sipas një vëzhgimi të kryer nga Scan TV, uljet shkojnë deri në 50%, ndërsa kondicionerët 12.000 BTU mund të blihen që nga 22.000 lekë, dhe ato 24.000 BTU shkojnë deri në 120.000 lekë.

Aktualisht, Shqipëria nuk ka një industri vendase për prodhimin e kondicionerëve, ndaj tregu dominohet nga importet, kryesisht nga Kina, e cila mbetet furnizuesi më i madh.

Nëse temperaturat vijojnë të rriten, pritet që edhe numri i kondicionerëve të importuar të thyejë çdo rekord më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu