
Procesi i rinumërimit të votave për Qarkun Tiranë do të nisë të martën, më 17 qershor, në ambientet e Parkut Olimpik, pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).
Rinumërimi përfshin 1282 kuti votimi, sipas kërkesës së opozitës, e cila synon të rikuperojë rreth 1300 vota që mund të ndikojnë në ndarjen e mandatit të 14-të në këtë qark, aktualisht i atribuar Partisë Mundësia pas përfshirjes së votave të diasporës.
Ky proces pritet të ketë ndikim edhe në rishikimin e rezultateve për kandidatët që garuan në listat e hapura dhe nuk arritën të sigurojnë mandat për shkak të diferencave të ngushta në vota.