
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe njeriu më i pasur në botë për një kohë të gjatë, dhe partnerja e tij, gazetarja dhe pilotja Lauren Sánchez, janë martuar në një ceremoni intime, por jashtëzakonisht elegante në Venecia, Itali.
Lauren Sánchez shkëlqeu me një fustan të punuar me dorë nga Dolce & Gabbana, një krijim me dantellë italiane, të frymëzuar nga veshja ikonike e Sophia Loren në filmin “Houseboat”. Fustani me jakë të lartë dhe me korse të rafinuar, u deshën plot 900 orë punë për t’u realizuar në atelier-in e famshëm të modës.
Në intervistën për Vogue, Sánchez pranoi se e mbajti të fshehtë fustanin nga Bezos deri në ditën e dasmës: “Nuk ka më shumë surpriza në këtë moshë, ndaj mezi pres të shoh reagimin e tij,” tha ajo.
Dasma u zhvillua në një nga pallatet historike të Venecias, me rreth 200 të ftuar, mes tyre figura nga bota e biznesit, modës dhe filantropisë. Ceremonia u përshkua nga eleganca klasike, larg çdo shkëlqimi të tepruar, siç theksoi edhe stilisti Stefano Gabbana: “Lauren donte një dasmë klasike, elegante, pa teprime.”
Dasma u parapri nga dy darka mikpritëse, një festë me tematikë pas ceremonisë dhe një kujdes i veçantë për të ftuarit, që u pritën nëpër hotelet e Venecias me çanta dhuratash të mbushura me specialitete vendase.
Në këtë ditë të veçantë, Sánchez vuri gjithashtu bizhuteri ekskluzive nga Dolce & Gabbana Alta Gioielleria, përfshirë vathë me katër diamante të prera nga një gur i vetëm, të transportuara me furgon të blinduar.
Një moment emocional ishte kur djemtë e Lauren e shoqëruan drejt altarit, ndërsa vajza e saj, Ella, mori rolin e shoqërueses së nuses.
Në vend të dhuratave, çifti kërkoi që të bëheshin donacione për kauza filantropike dhe fondacione që mbështesin trashëgiminë kulturore të Venecias.
“Jam njeri tjetër nga ç’isha pesë vite më parë,” tha Lauren emocionuar. “Por më shumë se të më ketë ndryshuar, Jeff më ka zbuluar. Më bën të ndihem e sigurt, e vlerësuar dhe e dashuruar. Jam gruaja më me fat në botë.”