
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot përmes një “videokartolinë lamtumire” liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare pas një beteje të rëndë me sëmundjen.
Rama shkruan se Nano ishte “miku i dikurshëm e i rigjetur sërish” dhe thekson se ai nuk do të ndahet kurrë nga kujtimet dhe vendi i nderit që ka në historinë e PS-së.
“Me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore,” shkruan Rama.
Në videon e publikuar, Rama përmbledh disa prej momenteve më historike të karrierës së Nanos — nga Kongresi i PPSH-së i vitit 1991 ku “lindi” PS, tek burgosja dhe momentet kur u lejua të dilte për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij në vitin 1995.
Ndër të tjera, rikthehen deklaratat e Nanos mbi drejtësinë, shtetin ligjor, demokracinë në Ballkan, si dhe takimet e tij me figura të rëndësishme ndërkombëtare si Ibrahim Rugova, Silvio Berlusconi e Recep Tayyip Erdogan.
Videomesazhi mbyllet me fjalët e Nanos për 30-vjetorin e themelimit të PS-së, ku ai theksonte misionin historik për europianizimin e Shqipërisë, vazhdimin e reformave dhe sfidën e pandalshme ndaj korrupsionit.
Ndërkohë batutën epike të tij që Rama nuk e ka përfshirë në video e publikoi këtë mëngjes një ndër ish bashkëpuntorët e Nanos, për shefin e tij të parë, Taulant Balla.
“Unë jam Fatos Nano dhe mbrapa më vjen historia jonë e përbashkët”







