Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik 2025. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ishte këtë të premte në Sarandë, ku inspektoi nga afër zbatimin e masave të posaçme për këtë sezon.

I shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë, mes tyre Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku, Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, dhe Drejtori i Kufirit Vlorë, Blendi Jaho, Proda zhvilloi një takim me efektivët në terren, duke dhënë porosi të qarta për rritjen e parametrave të sigurisë.

“Siguria është pasaporta jonë për qytetarët, vizitorët dhe turistët. Kërkojmë angazhim maksimal, profesionalizëm dhe vëmendje ndaj çdo pushuesi, në mënyrë që këtë sezon të ofrojmë standarde edhe më të larta sigurie,” u shpreh Proda.

Në qendër të masave të kërkuara janë:

  • Monitorim i përhershëm i plazheve dhe zonave turistike, përmes dronëve, patrullave me biçikleta, Policisë Detare dhe Kufitare.
  • Kontrolle të rrepta ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin dhe masat e sigurisë.
  • Zero tolerancë ndaj zaptimit të hapësirave publike, në kuadër të operacionit “Plazh i Lirë”.
  • Reagim i menjëhershëm ndaj ndotjes akustike, veçanërisht në zonat turistike.
  • Masa shtesë në pikat kufitare, për të shmangur radhët gjatë fluksit dhe për të parandaluar krimet ndërkufitare.
  • Fokus te siguria rrugore, me përdorimin e teknologjisë inteligjente dhe forcimin e kontrolleve në akset kryesore.
  • Përmirësim i sjelljes dhe komunikimit të punonjësve të policisë me qytetarët dhe turistët, duke qenë pika e parë e kontaktit dhe një model për t’i dhënë besim komunitetit.

Drejtues të tjerë të policisë, përfshirë Boshnjakun dhe Çelën, e informuan Drejtorin Proda mbi situatën në terren dhe zbatimin konkret të masave.

Policia e Shtetit konfirmon angazhimin e saj të plotë për garantimin e një sezoni të qetë, të sigurt dhe të paharrueshëm për çdo qytetar dhe turist që zgjedh Shqipërinë këtë verë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu