Besimtarët katolikë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të Krishtlindjes, e mbajtur në mesnatë në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, për të kremtuar lindjen e Jezus Krishtit.

Mesha u drejtua nga kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë–Durrës, Imzot Arjan Dodaj, i cili në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e shpresës, dritës dhe besimit në një botë të përballur me pasiguri dhe konflikte.

“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari,” u shpreh Imzot Dodaj, duke iu referuar edhe realitetit të errët që shumë njerëz përjetojnë sot për shkak të luftërave dhe krizave.

Ai theksoi se Krishtlindja nuk është vetëm përkujtim i një ngjarjeje historike, por një mesazh i gjallë shprese, paqeje dhe afërsie mes Zotit dhe njeriut, duke kujtuar se Jezusi mbetet për besimtarët njëkohësisht Zot dhe vëlla.

Në meshë morën pjesë qindra besimtarë, të cilët përmes lutjeve dhe këngëve fetare pritën mbërritjen e mesnatës së 25 dhjetorit, momentin simbolik të lindjes së Krishtit.

Krishtlindja është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët katolikë dhe ortodoksë. Ndërsa katolikët e kremtojnë me meshën e mesnatës, besimtarët ortodoksë e festojnë në mëngjesin e 25 dhjetorit.

E njohur edhe si Lindja në Mish e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, Krishtlindja kremton ardhjen e Birit të Perëndisë si njeri, për shpëtimin e botës dhe për thirrjen e njerëzimit drejt jetës hyjnore.

Meshë festive janë zhvilluar gjithashtu në kisha të tjera katolike në mbarë vendin, të shpërndara në gjashtë dioqezat e Shqipërisë.

tag-Logo

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu