
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi takime të veçanta me krerët e komuniteteve fetare në vend, në kuadër të dialogut institucional dhe forcimit të harmonisë ndërfetare në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla bëri me dije se u takua me Kryepiskopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturinë e Tij, z. Joan, të cilin e cilësoi si një personalitet të respektuar dhe udhëheqës shpirtëror me ndikim të thellë në jetën kulturore e fetare të vendit.
“U takova me Kryepiskopin e Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, z. Joan, një personalitet dhe udhëheqës fetar shumë i respektuar. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është një nga shtyllat themelore të identitetit shpirtëror, kulturor dhe kombëtar të vendit tonë. Me historinë e saj të pasur dhe me kontributin e pandërprerë në ruajtjen e besimit, gjuhës dhe traditave shqiptare, kjo Kishë përfaqëson një vlerë të çmuar të unitetit dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri,” – u shpreh Balla.
Më herët Balla u takua me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu të cilit i shprehu qëndrimin se Komuniteti Mysliman Shqiptar ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e kohezionit shoqëror dhe të harmonisë ndërfetare, që përbën një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë sonë.