
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar me tone të forta në seancën plenare ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në ngjarje të rënda të së kaluarës.
“Unë jam ky që jam, jam shumë krenar për familjen time, për prindërit e mi, jam shumë krenar për zonën nga vij, shkoj çdo fundjavë. Nuk jam si ti që shkon me autoblindë në Tropojë, ku ke përgjegjësinë e 170 jetëve të humbura atje,” deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
Ai shtoi se po pret që drejtësia të flasë për ngjarjet e 21 janarit:
“Kam dhe një çështje me ty që presim dhe shpresojmë, dhe nuk komentojmë, që drejtësia të zbardhë vrasjet shtetërore të 21 janarit. Kaq.”
Më tej, Balla theksoi se nuk është penduar që ka kallëzuar penalisht Berishën për çështjen e kompleksit “Partizani”:
“Nuk jam bërë pishman dhe nuk bëhem pishman kurrë që të kam kallëzuar penalisht për vjedhjen e kompleksit ‘Partizani’. Nuk jam bërë pishman as edhe njëqind herë, edhe pse më duhet të përballoj gjithë këtë baltë që hedh ti përditë.”







