Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka bërë një thirrje publike për angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit, veçanërisht në zonat malore. Në një postim në rrjetet sociale, Balla njoftoi se ka mirëpritur në zyrën e tij Kujtim Hasanin, një sipërmarrës të suksesshëm në Londër, i cili ka shprehur interes për të investuar në vendlindje.
“Ishte kënaqësi të mirëpres sot Kujtim Hasanin, një sipërmarrës i suksesshëm në Londër, me dëshirën për të investuar në Shqipëri,” shkruan ministri.
Në fokus të takimit ishte Paketa e Maleve, një nismë e qeverisë që synon rigjallërimin e zonave malore përmes ndërtimit të bujtinave, zhvillimit të agroturizmit dhe kthimit të tokave të trashëguara në burim të ardhurash dhe krenarie për familjet shqiptare.
“Paketa e Maleve është mundësia për të rigjallëruar tokat e të parëve, për të ndërtuar bujtina e agroturizëm dhe për të sjellë krenari e zhvillim në vendin tonë, kudo,” theksoi Balla.
Ai shtoi se do të ketë lehtësi në proceset e legalizimit dhe certifikimit të pronave të trashëguara, një nga pengesat kryesore me të cilat përballen shumë shqiptarë të diasporës kur duan të investojnë në pronat e familjes së tyre.
Ministri përmbylli postimin me një mesazh krenarie dhe mirënjohjeje për komunitetin shqiptar në Britani:
“KRENAR PËR SHQIPTARËT E ANGLISË ❤️🦅🖤
KRENAR PËR SHQIPËRINË 🇦🇱👐🇪🇺”
Kjo nismë vjen në një periudhë kur pritet një rritje e vizitave nga diaspora për sezonin veror, dhe përbën një përpjekje të qeverisë për të kthyer kapitalin financiar dhe eksperiencën e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillim të qëndrueshëm për zonat më pak të zhvilluara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu