
Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka ndarë një moment të veçantë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke postuar një foto krah prindërve të tij, shoqëruar me një dedikim emocionues:
“Prindërit mbajnë dorën tonë për pak kohë, por zemrën për gjithë jetën”.
Postimi është pritur me dhjetëra reagime, komente dhe urime nga qytetarë dhe ndjekës, të cilët kanë vlerësuar gjestin e ministrit dhe mirënjohjen e tij ndaj figurës së prindërve.
Shumë komentues e kanë cilësuar mesazhin si një kujtesë të vyer për rëndësinë e familjes dhe dashurinë e pakushtëzuar që vetëm prindërit mund të japin.
Balla portretizohet jo vetëm si një politikan popullor me komunikimin e thjeshtë me njerëzit, por edhe për postimet e herëpashershme me familjen ku nuk ndan as prindërit me të cilët shfaqet gjithnjë ditën e votimit.
Gjatë fushatës elektorale nëna e tij ishte e pranishme në çdo diskurs politik mbi temën e pensioneve ku e sillte si shembull të shumë familjeve shqiptare që vuajnë pasojat e mangësive të vjetra në sistemin e sigurimeve pas demokracisë, e të cilën qeverisja socialiste ku bën pjesë i biri po përpiqet ta përmirësojë sa të mundet pavarësisht vështirësive.
“Çfarë do na bëni me pensionet?” Po mirë, sa ishin pensionet në vitin 2013? 86 euro ishte pensioni mesatar në vitin 2013. Ne kemi bërë 170, e kemi dyfishuar. Po prapë është i vogël apo s’është kështu?Po kur e bëj këtë debat me mamin tim, mami im ka punuar 45 vjet infermiere. Edhe i ra mamit të shkretë që 23 të punonte në komunizëm, 22 në demokraci. Tani ato kontributet shoqërore që dha në komunizëm në ’92-in, i shpëlau Saliu, zero.” deklaronte Balla në cilësinë e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Diasporën gjatë fushatës me bashkatdhetarë për zgjedhjet e 11 majit më herët këtë vit.
Ndërsa me postimin e fundit ka përcjellë edhe njëherë një mesazh të thjeshtë por të fuqishëm: lidhja me familjen është ajo që mbetet më e fortë dhe më e qëndrueshme përtej çdo posti apo rrethane.