
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, doli sot në një deklaratë për mediat pas Konferencës së Kryetarëve, ku akuzoi opozitën se po e mbingarkon Kuvendin me kërkesa të pajustifikuara për mocione me debat.
Sipas Ballës, në më pak se tre muaj të legjislaturës së re, opozita ka paraqitur “një numër mocionesh dy herë më të madh se gjithë katër vitet e shkuara”, duke e cilësuar situatën si “atipike në historinë 35-vjeçare të Kuvendit”.
“Nuk mund të bëhet mocion për çdo çështje sa herë i teket opozitës”
Balla sqaroi se mocioni me debat është një instrument i parashikuar në rregulloren e Kuvendit për çështje të caktuara, por opozita – sipas tij – po e përdor për të zvarritur seancat dhe për të shmangur diskutimin real të Buxhetit 2026.
Ai theksoi se periudha 15 tetor – fundnëntor është tradicionalisht e rezervuar ekskluzivisht për diskutimin e buxhetit dhe paketës fiskale:
“Të kërkosh mocion me debat për minimumin jetik në mes të diskutimit për buxhetin, kur e di që ky është buxheti më i madh në histori, është thjesht tentativë për bllokim.”
“Buxheti më i madh në histori, me rritjen më të madhe të pensioneve në 35 vite”
Balla renditi disa prej elementëve që sipas tij e bëjnë buxhetin 2026 më të avancuarin:
– 1.8 miliardë euro për politikat sociale
– Rritja më e madhe e pensioneve në 35 vite
– Rritje page në sektorët jetikë
– Rritja më e madhe historike e fondit të barnave të rimbursueshme, me fokus te onkologjiku
“Këto kërkesa nuk janë për Kuvendin, janë për foltoren e bulevardit”
Ai akuzoi drejtpërdrejt Partinë Demokratike për një strategji të qëllimshme të mbingarkimit të Kuvendit me kërkesa:
“Sapo u ulëm në Konferencën e Kryetarëve, kishte ardhur një kërkesë tjetër. Nuk janë kërkesa për t’u shqyrtuar në Kuvend. Janë rendi i ditës i foltores që do vendoset në bulevard.”
“Protesta është e drejtë demokratike, por nuk mund të përdoret si alibi kundër drejtësisë. Nuk do lejojmë që puna e Kuvendit të kthehet në skenë politike për bllokim.”
Polemika me ftesat e SPAK-ut ndaj Sali Berishës
Balla iu referua edhe situatës së fundjavës me ftesën e Prokurorisë së Posaçme:
“Sekretaria e Kuvendit i dorëzon një njoftim grupit parlamentar të PD-së, dhe ata thonë ‘nuk e pranojmë’. Shkon te selia e partisë, nuk e pranojnë. Këto nuk janë rastësi. Protestohet sa herë ka një masë të drejtësisë.”
Ai kujtoi se në raste të mëparshme – 1998, 2019, 2023 – çdo veprim ligjor ndaj Berishës ka shoqëruar protestë.
“Opozita ka pasur më shumë kohë se kurrë në sallë”
Balla kundërshtoi akuzat se mazhoranca po pengon debatin parlamentar:
– 40 orë debat në vetëm dy muaj
– 20 orë mesatarisht në muaj, një nga shifrat më të larta historike
– 23 orë nga 40 i ka pasur opozita
Ai e cilësoi si “të pavërtetë” pretendimin se seancat po ndërpriten pa diskutim.







