Në një intervistë ndryshe, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ndau me publikun shumë anë të panjohura që hedhin dritë mbi figurën e një politikani të vjetër në skenën politike. Nga pasioni i rinisë për politikën, formësimi i karrierës në Partinë Socialiste me Fatos Nanon dhe Edi Ramën, lidhjet mes Shqipërisë dhe Rumanisë, SPAK-u, e deri te misioni në diasporë ishin disa nga temat për të cilat u fol në podkastin “Flet” me gazetaren Ilnisa Agolli në Top Channel.
“Kisha dëshirë të studioja jashtë. Prindërit, njëri mësues, nëna infermiere, nuk kishin mundësi të më dërgonin në shkollë me pagesë. Në atë kohë dëgjova që Ministria e Arsimit jepte 5 bursa për ekselentët, dhe fitova një bursë për në Rumani,” rrëfen Balla, duke shprehur krenarinë për studimet për Shkenca Politike në Rumani, një vend me lidhje të forta me Shqipërinë. “Ka shërbyer si “fole” e Rilindjes sonë kombëtare ndaj shkova atje me pozitivitet.”
“Agolli: Ke menduar të tërhiqesh nga politika?
Balla: Nuk e kam menduar dhe nuk e kam në plan. Gjithçka kam bërë deri tani e ka bërë familja ime politike gjithë këto 33 vite. Gjithmonë ka qenë në anën e duhur të historisë. Sot Shqipëria është shumë më mirë se në vitet 2013 kur e morëm pushtetin.”
Ndërsa momenti më i vështirë gjatë karrierës së tij politike vlerësohet 21 janari 2011.
“Pra ishim në një protestë normale, në një vend europian për të protestuar kundër korrupsionit, vjedhjes së votës dhe në një moment të caktuar nga grykat e zjarrit të Gardës së Republikës u qëlluan mbi protestues dhe 4 prej nesh humbën jetën. Politika në Shqipëri ka pasur dhe ka ende individë që i kanë bërë dëm vendit dhe partisë së tyre.”
Duke folur për eksperiencën si Ministër i Brendshëm, Balla tha se ishte shumë krenar për ato që arriti brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Në një kohë rekord kemi bërë një rishikim të gjithë kuadrit ligjor, rregullator të shumë institucioneve, duke nisur nga Policia e Shtetit, riparuam disa gabime të trashëguara ndër vite në trajtimin e policisë, garantuam pagesat e ushqimit, u rritën pagat, trajtimi me kredi me të sapomartuarit, garda e republikës, zjarrfikësit dhe plot e punë të tjera. I dhamë zgjidhje sistemit të adresave me kodin unik, punë intensive e pandërprerë.”
Marrëdhënien me Edi Ramën e cilësoi si raportin mes një kryeministri dhe ministrit, por dhe kryetarit të partisë me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Fjalët për ekzistencën e një lufte të brendshme brenda partisë i cilësoi si shpresë të kotë të opozitës, duke thënë se e veçanta e Partisë Socialiste është se ka prurje të reja dhe rigjenerohet si forcë politike.
“Gjëja e mirë që kemi ne po t’i shohësh ekipet tona qeverisëse dhe grupet parlamentare ka plot prurje të reja. Mendoj që duhet të kemi sa më shumë karrierë brenda strukturave tona, se jam vetë një prej tyre që e kam nisur si anëtar i thjeshtë dhe jam këtu ku jam sot. Dua ta injoroj pretendimin që ka garë, secili ka pistën e vet.
Agolli: A ka kolegë që ju luftojnë?
Balla: Edhe nëse, çfarë pune prish?”
Duke u ndalur në një temë të nxehtë ajo e drejtësisë së re të SPAK, pyetjeve provokuese të moderatores bazuar mbi aktualitetin politik Balla iu përgjigj se respektonte drejtësinë. “
Me eksperiencën e Rumanisë e dija çfarë do ndodhte dhe këta që janë sot subjekt i saj qeshnin.
Agolli: Nëse do jeni në hetim për X çështje çfarë do bëni?
Balla: Atë që duhet të bëjë çdo shtetas i republikës, të respektojë vendimet e drejtësisë.
Agolli: Po për përgjimet?
Balla: Të njëjtën gjë. Thashetheme, Fake news. Për ata që kanë rënë në rrjetën e SPAK ndjej keqardhje, po përgjegjësia është gjithmonë personale,” tha Balla.
Duke u ndalur në misionin e madh në diasporë, Balla dha përshtypjet mbi turneun e tij mes gjysmës së kombit që jeton jashtë vendit dhe momentit historik të votës së tyre.
“Krenaria që ndjen, kur sheh suksesin e tyre në sipërmarrje, kulturë, sport. Kombëtarja p.sh, po mos ishin fëmijët e diasporës që të luanin për kombëtaren? Kanë lindur nëpër botë dhe e ndjejnë shumë përkatësinë. Ne jemi një komb i vogël, por nga dashuria për atdheun jemi komb i madh. Hera e parë pas 33 viteve që do të votojnë nga atje ku janë në një platformë në KQZ, ku do japin adresën në të cilën do u shkojë fleta e votimit pas regjistrimit u jep mundësinë për të qenë pjesë e vendimmarrjes për drejtimin që duhet, duke ushtruar të drejtën e votës në mënyrë të barabartë me çdo shtetas shqiptar,” deklaroi Balla në podkastin “Flet” në Top Channel.
Ndër te tjera, Balla foli për pasionet e tij jashtë politikës një prej të cilëve për shumë vetë nuk është aspak sekret, futbolli.
“Kam luajtur vite më parë në kalceto, tani pak më pak dhe kam dëshirë ta rifilloj pas 11 majit. Ndeshjen e fundit e kisha me gazetarët,” tha Balla.
“Diplomati i Partisë”, siç e prezantoi moderatorja, Balla rrëfeu se nuk ka frikë, beson në Zot, por edhe tek njerëzit.