Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, në një lidhje direkte nga Kreta në televizionin Report TV, tha se turneu i PS-së do të përmbyllet më 13 prill në Itali.

“Këto janë takime të planifikuara në kuadrin e gjithë fushatës zgjedhore. Për pak ditë hyjmë në kalendarin e fushatës. Ne kemi bërë takime edhe më parë, edhe në Greqi, edhe në Itali, edhe në Britaninë e Madhe, në Londër, në Nju Jork me kryeministrin. Po rikthehemi edhe në një tur të fundit. Dëshira do të ishte e madhe që të riktheheshim edhe në pjesë të tjera. Por mos harroni që duhet ta përshtatim agjendën dhe me nevojat e fushatës zgjedhore, kështu që këto tre takime janë takime të planifikuara si përmbyllëse të turit që ka nisur me diasporën prej shumë vitesh. Mos harrojmë që PS-ja është e vetmja që prej shumë vitesh ka qenë jo vetëm në takime me diasporën, por ka dhe strukturat e veta edhe në diasporë. Koha në dispozicion është e shkurtër, kështu që më 13 prill e përmbyllim turin në Milano.”

Balla i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të Kretës që të shkojnë nesër në orën 18:00 në qendrën sportive Kladissos për ta kthyer në një festë të bukur këtë takim, jo vetëm me fjalime, por edhe me ekspozim të traditës sonë shqiptare.

Ai vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm që kanë shqiptarët në këtë zonë, ndërsa përmendi edhe faktin se në disa qytete në Kretë mbahen edhe klasa në gjuhën shqipe.

“Dua të nxjerr një element shumë thelbësor që ka të bëjë me faktin se prej vitesh në ishullin e Kretës, edhe në qytete të tjera, funksionojnë më së miri edhe klasat e gjuhës shqipe. E kemi përzgjedhur takimin këtu me bashkatdhetarët nisur nga suksesi i tyre këtu, për t’i falënderuar dhe bërë bashkë. Lajmi i bukur nga Kreta nesër është se do të jenë gjithë shqiptarët pa asnjë dallim, të majtë apo të djathtë. Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht zgjedhjet e radhës, por mandati i të cilave do t’i japë Shqipërisë anëtarësimin në BE dhe pasaportën e një qytetari të BE. Kjo është arsyeja pse jemi bërë të gjithë bashkë,” u shpreh Balla.

Balla e cilësoi votën e diasporës si një fitore të madhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe një borxh të kthyer nga ana e shtetit për të gjithë ndihmën e tyre ndër vite.

“Ndaj skeptikëve që luftuan për të penguar votën e diasporës, është fitore e madhe për të gjithë bashkatdhetarët në diasporë. Për Shqipërinë evropiane është ngjarje historike, riparohet një borxh i madh që ua kemi bashkatdhetarëve. Dua të ndaj edhe një fakt historik, e parë si e tillë tejkaloi një rekord që ishte vendosur 17 vite më parë, në vitin 2008, dhe kjo është shenjë besimi që bashkatdhetarët kanë. Diaspora është avokati më i paanshëm, është vlerësim për rrugën e duhur që Shqipëria jonë ka marrë. Në gjithë këto muaj takimesh, kryefjala e të gjitha bisedave është se shqiptarët jashtë Shqipërisë ndihen krenarë të thonë se janë shqiptarë. 10 vite më parë ishte shumë e vështirë për ta thënë një gjë të tillë, ndërkohë që sot e thonë me plot gojën se janë krenarë,” ishte mesazhi i Ballës nga Kreta.

Balla falënderoi të gjithë bashkatdhetarët që janë regjistruar në një numër të konsiderueshëm në shumë vende të botës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu