Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me çështjen e Call Center-ave dhe aksionin e fundit të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Tiranë.

Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Balla i ka cilësuar pretendimet e Berishës si gënjeshtra të qëllimshme, duke theksuar se opozita po përpiqet të përfitojë politikisht nga hetimet e drejtësisë.

“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, shkruan Balla, duke nënvizuar se përhapja e lajmeve të rreme sjell keqinformim, zemërim dhe humbje besimi te publiku. Ai u bën thirrje qytetarëve dhe mediave të verifikojnë burimet dhe të tregojnë përgjegjësi në shpërndarjen e informacionit.

Reagimi i Ballës vjen në një kohë kur në portale qarkulluan lajme se aksioni i SPAK dhe BKH në zonën e “Myslym Shyrit” kishte në fokus biznese të lidhura me familjarë të tij.

Pas këtyre pretendimeve ka reaguar edhe e motra Alba Balla, e cila i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje, interes apo njohje me kompaninë ku janë ushtruar kontrollet dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash dhe portofola me kriptomonedha.

Alba Balla i ka cilësuar këto lajme si të pavërteta dhe dashakeqëse, duke shtuar se është e gatshme të bashkëpunojë me çdo institucion për të sqaruar të vërtetën dhe për të hedhur dritë mbi çdo paqartësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu