Administrata Tatimore ka njoftuar nisjen e kontrolleve në terren në sektorin e ndërtimit, në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për rritjen e deklarimit të pagave reale dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet kanë nisur nga data 15 janar, rreth 30 ditë pas publikimit të listës së pagave indikative për profesionet në ndërtim, dhe do të përqendrohen kryesisht te subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave.

Tatimet bëjnë me dije se këto subjekte janë njoftuar më herët në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Filing, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht paralajmërimeve.

Fokusi kryesor i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e cila u është përcjellë tatimpaguesve në llogaritë elektronike dhe është publikuar edhe në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore.

Sipas Tatimeve, institucioni disponon të dhëna të detajuara nga burime të ndryshme, përfshirë:

  • deklaratat tatimore dhe listëpagesat mujore,
  • faturat e fiskalizuara,
  • të dhënat nga APT, pushteti vendor dhe agjencitë imobilare,
  • si dhe informacionin që furnitorët deklarojnë për mallra dhe shërbime.

Tatimpaguesit nxiten të përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë:

  • deklarimin e çdo punonjësi të punësuar,
  • deklarimin real të pagave sipas profesionit dhe tregut të punës,
  • lëshimin e faturave të fiskalizuara për çdo shitje apo transaksion,
  • blerjen e mallrave dhe shërbimeve vetëm me faturë tatimore,
  • deklarimin e saktë të kontratave të qirasë,
  • përdorimin e softuerëve të certifikuar të fiskalizimit.

Administrata Tatimore paralajmëron se mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave përbën shkelje të rëndë ligjore, pasi cenon drejtpërdrejt sigurimet shoqërore dhe pensionet. Për subjektet me risk do të ndërmerren kontrolle të thelluara dhe hetime të zgjeruara, përfshirë edhe transaksionet me burime të dyshimta, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu