
Afganistani po përjeton një bllokim të plotë të komunikimeve, pasi talibanët kanë mbyllur rrjetin kombëtar të telekomunikacionit dhe kanë shkëputur lidhjet me fibër optike në të gjithë vendin.
Sipas organizatës ndërkombëtare të monitorimit të internetit NetBlocks, bëhet fjalë për një “blackout” të plotë të internetit, i cili ka ndodhur në mënyrë të përshkallëzuar gjatë mëngjesit të së hënës.
Agjencia AFP raportoi se ka humbur çdo kontakt me zyrën e saj në Kabul, përfshirë shërbimet celulare. Edhe internet mobil dhe sinjali satelitor televiziv janë ndërprerë në pjesën më të madhe të vendit.
Talibanët justifikojnë këtë veprim si pjesë e “masave të moralit”, ndërsa për javë me radhë përdorues në disa provinca kishin raportuar probleme me lidhjen.
Sipas dëshmive nga qytetarët, lidhjet me fibër optike janë ndërprerë rreth orës 17:00 lokale, në fund të ditës së punës, dhe shumë njerëz do ta ndjejnë ndikimin e plotë të ndërprerjes ditën e martë, kur pritet të rifillojnë shërbimet bankare dhe aktivitetet tregtare.
Bizneset paralajmërojnë se ndërprerja e gjatë e internetit mund të godasë rëndë ekonominë, ndërsa rrugë alternative të premtuara nga autoritetet talibane nuk janë zbuluar.
Në rrjetin social Mastodon, NetBlocks shkruan:
“Afganistani ndodhet në mes të një blackout-i total të internetit, ndërsa autoritetet talibane zbatojnë masa të moralit, duke shkëputur rrjetet në mënyrë të njëpasnjëshme. Shërbimet telefonike janë gjithashtu të prekura.”
Ish-kryeredaktori i kanalit 1TV, Hamid Haidari, e përshkroi situatën si “vetmi që mbulon të gjithë vendin”, duke ironizuar se Afganistani “tani renditet përpara Koresë së Veriut” për shkëputje nga interneti.
Që nga rikthimi në pushtet në vitin 2021, talibanët kanë ashpërsuar kufizimet, sidomos ndaj grave dhe vajzave, të cilave u është ndaluar arsimi përtej moshës 12 vjeçare dhe janë hequr kurse të tilla si mami në fund të vitit 2024.