Katër vëllezër të rritur në Melbourne, me rrënjë shqiptare dhe shpirt prej rokeri, kanë zbarkuar prej disa vitesh në Durrës, duke e kthyer shtëpinë e babait të tyre në trampolinë për skenat europiane.

Të njohur si “Mixed Up Everything”, ata kanë luajtur muzikë rok nëpër Gjermani e Austri, duke elektrizuar turmat nëpër klube dhe festivale, por ende s’e kanë shkundur qytetin e tyre.

“Kemi dhënë koncert edhe në Tiranë, por në Durrës akoma jo,” thotë Kevin Dhima, një nga vëllezërit vokalistë.

Megjithëse Durrësi ka pasur momente të shkëlqimit muzikor qyteti nuk ka arritur të krijojë një traditë të qëndrueshme të skenës alternative.

Artistët veteranë dhe pedagogë të muzikës thonë se mungesa e mbështetjes institucionale dhe skenave ku të interpretohet para publikut, si dhe rënia e numrit të instrumentistëve të rinj kanë lënë një boshllëk që vite me radhë nuk është mbushur.

Edhe përpjekjet sporadike, sado të suksesshme në publik, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar një ekosistem të qëndrueshëm muzikor në qytetin bregdetar.

Kjo ka bërë që muzika e luajtur ‘live” të mbetet ende një pasion individual më shumë sesa një përvojë urbane.

Në dekadat e fundit, tradita muzikore e Durrësit është shënjuar nga një kontrast midis potencialit të qytetit që mirëpret qindra mijëra turistë dhe mungesës së një skene të qëndrueshme.

Përpjekjet e grupeve rinore që tentuan të shfaqeshin para publikut me një muzikë të re i përkasin vitit të largët 1972, kur ata u ngjitën në skenën e festivalit të përvitshëm të këngës në Durrës.

“Ja, kjo foto dëshmon interpretimin tonë në skenën e pallatit të kulturës,” tregon me nostalgji Njazi Hidri, i cili në atë periudhë, bashkë me pesë moshatarë, themeloi grupin ‘Ritme blu’.”

Megjithëse i ka kaluar të shtatëdhjetat, Njaziu kujton suksesin që pati kënga që kishte si titull vetë emrin e grupit.

“Na penguan disa herë për të konkurruar në natën finale dhe duartrokitjet e shumta të spektatorëve të rinj duket sikur e detyruan më shumë jurinë të na largonte edhe më shumë nga skena,” shprehet Hidri.

Nuk janë vetëm grupet e rrokut që i mungojnë sfondit muzikor të qytetit bregdetar.

“Në Durrës mungon tradita e grupeve që luajnë muzikë xhaz,” tha për BIRN klarinetisti Dash Hoxha.

“Edhe në vitet e izolimit komunist, bashkë me trompistët Shaqir Kodra, Isuf Xhumëri dhe Ilir Dedja, interpretonim në Durrës e Tiranë muzikën alternative, por ishte pasojë e talentit dhe pasionit, që na ushqente kryesisht radioja.”

Kuarteti i saksofonave i drejtuar nga Dash Hoxha 2023
Sipas instrumentistit të njohur, kjo alternativë muzikore dhe koncertet në qytet duhen mbështetur nga institucionet lokale, nga shkolla, pallati i kulturës dhe duhen programuar nga bashkia.

Muzika xhaz nuk e fitoi dot qytetarinë në Durrës edhe në vitet pas demokracisë.

Një festival i mbështetur në këtë zhanër muzikor ndaloi që në edicionin e parë të tij, megjithëse instrumentistët dhe këngëtarët mblodhën shumë dëgjues në një nga sheshet buzë detit.

Mungesa e orkestrinave shoqëruese ndihet edhe nga grupet e valltarëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

Një nga këto grupe po përgatitet të paraqitet në Javën e Kulturës Shqiptare që do të organizohet në Poloni, por ai mund të udhëtojë i përgjysmuar.

Koreografi Arjan Plaku tregon për BIRN se instrumentistët punojnë privatisht dhe shpesh ata kanë vështirësi për t’i shoqëruar balerinët dhe valltarët me orkestrinë.

“Unë mendoj se pallati i kulturës dhe shkolla artistike ‘Jan Kukuzeli’ kanë në dorë përgatitjen dhe paraqitjen e artistëve të rinj para publikut,” shprehet koreografi i njohur.

Sipas tij, numri i nxënësve instrumentistë ka rënë.

“Vite më parë futeshin miq për t’i regjistruar fëmijët në shkollën artistike,” thotë Plaku.

Të rinjtë artistë përgatiten kryesisht në mjediset shkollore dhe në përgjithësi u mungon përballja me publikun.

Grupi i fundit në zhanrin muzikor të xhazit në skenë ishte ai me emrin “Valentin Rijbin”, i cili i kushtohej një instrumentisti bjellorus që u vendos pas Luftës së Dytë në Durrës dhe që për afro 30 vjet interpretoi në krye të orkestrinave të qytetit.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur Dash Hoxha dhe tre kolegët e tij saksofonistë nga qytete të ndryshme të vendit e ngritën në këmbë publikun që mbushi sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

“Por nuk mjafton kaq për të krijuar një traditë të re muzikore,” ai. “Mungon ende klima e nevojshme, që duhet ushqyer nga shkolla, nga institucionet vendore të kulturës dhe të pushtetit,” përfundoi klarinetisti dhe saksofonisti i njohur./Birn

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu