
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi sot bisedime dy-orëshe në Downing Street me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, në fokus të planit të ri të paqes të hartuar pas takimeve mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë javën e kaluar në Florida.
Në deklarata të shkurtra përpara bisedimeve, Starmer u shpreh se “ne qëndrojmë me Ukrainën”, duke theksuar nevojën për garanci sigurie “të forta dhe konkrete”. Nga ana e tij, Zelensky deklaroi se “duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, ndërsa aleatët europianë sinjalizuan mbështetje, por edhe rezerva mbi disa elementë të propozimit amerikan.

Sipas burimeve diplomatike, Emmanuel Macron vlerësoi se aleatët e Ukrainës “kanë shumë karta në dorë” në procesin negociues, ndërsa Friedrich Merz shprehu skepticizëm për disa detaje të dokumenteve që vijnë nga pala amerikane. Këto komente vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se negociatorët e Zelenskyt “e pëlqejnë” planin e fundit, por shtoi se ishte “i zhgënjyer” që, sipas tij, Zelensky ende nuk e kishte lexuar plotësisht propozimin.

Pas përfundimit të takimit, liderët u panë duke shtrënguar duart jashtë Nr.10. Zelensky pritet të udhëtojë menjëherë drejt Brukselit për takime me shefin e NATO-s Mark Rutte dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Të martën, ai do të takojë edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni në Romë.
Ndërkohë, nga Elizeja u bë e ditur se do të vijojë puna për ofrimin e garancive të qëndrueshme të sigurisë për Ukrainën, si dhe për planifikimin e fazës së rindërtimit të vendit pas luftës.
Paralelisht me zhvillimet diplomatike, lufta në terren vijon. Forcat ajrore ukrainase njoftuan se një pilot i tyre ka humbur jetën gjatë një misioni luftarak në lindje të vendit, ndërsa bombardimet ajrore ruse kanë shkaktuar viktima civile dhe dëme të shumta në rajone si Dnipro.



