Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në hapje të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim–Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, deklaroi se Shqipëria ndodhet në momentin më të rëndësishëm të rrugës drejt anëtarësimit në BE. Ai theksoi se vendi ka hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave dhe po ecën me ritmin më të shpejtë të regjistruar në historinë e zgjerimit të Unionit. Balla nënvizoi se rezultatet konkrete në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përputhshmërinë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Europian dëshmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të ecur me “shpejtësi, përgjegjësi dhe besueshmëri”. Ai theksoi gjithashtu se reformat zgjedhore dhe territoriale të miratuara me konsensus në Kuvend janë shembull i frymës europiane që duhet të udhëheqë politikën shqiptare.

Sipas Ballës, Parlamenti shqiptar mbetet shtylla qendrore e procesit të integrimit, duke garantuar transparencë dhe përfshirje në çdo hap të negociatave me BE-në. Ai nënvizoi përparimin e dukshëm të vendit në zbatimin e reformave, duke theksuar se Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 masat e parashikuara në Planin e Reformës dhe Rritjes dhe ruan 100% përputhshmëri me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. “Integrimi europian nuk është vetëm e ardhmja e Shqipërisë, por edhe kontributi ynë në ndërtimin e një Europe më të bashkuar, më të sigurt dhe më të drejtë,” përfundoi Balla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu