
Analisti Endri Tafani ka komentuar rezolutën e Kuvendit për shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, duke e cilësuar si një hap të nevojshëm, por të vonuar.
Në një intervistë në emisionin “Studio24” në News24, Tafani theksoi se përpara miratimit të rezolutës duhej të ishte hartuar një plan i qartë masash dhe një analizë më e thelluar e situatës.
“A është Irani shtet sponsorizues i terrorizmit? Po. Por përpara duhej një procedurë më parë për një analizë dhe një plan masash. Nuk është si rezolutat e tjera, është më e veçantë,” u shpreh ai.
Ai theksoi veçanërisht se në Shqipëri ka individë që, sipas akuzave, paguhen nga struktura të lidhura me Iranin.
“Ka persona në Shqipëri që janë akuzuar se paguhen nga iranianët. Ka njerëz që dalin në studio dhe mbrojnë haptazi politika të një shteti që konsiderohet sponsor i terrorizmit,” deklaroi Tafani.
Sipas tij, ndikimi nuk vjen gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shpesh përmes organizatave dhe fondacioneve që paraqiten si bamirëse.
“Sponsorizimi nuk vjen duke të dhënë para në dorë. Ngrihen shoqata, fondacione, paguhen këshilltarë. Ka struktura që funksionojnë në dobi të shtetit iranian dhe që përfshijnë individë edhe në Shqipëri,” shtoi ai.
Tafani nënvizoi se miratimi i rezolutës i vendos tashmë këta individë në një tjetër këndvështrim ligjor, si persona të dyshuar për lidhje me aktivitete që lidhen me terrorizmin.
Ai shtoi gjithashtu se opozita duhet të kishte marrë pjesë në seancë, duke e konsideruar çështjen si tepër të rëndësishme për një debat të gjerë politik.



