
Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi me pensionistët në Gjirokastër iu përgjigj akuzave të opozitës, e cila thotë se PS nuk ka një program qeverisës për zgjedhjet e 11 majit. Si një vend që po negocion me BE-në, Rama tha se qeveria ka plan të detajuar për çdo sektor. Përveç synimit për të çuar pensionin minimal në 200 euro dhe atë mesatar në 400 euro, Rama u ndal edhe te paga e mësuesve.
Rama: Sot paga mesatare në sektorin publik është 1000 euro. Plani ynë është në Shqipërinë 2030 paga mesatare e mësuesve të jetë 1200 euro. Ne kemi program për çdo sektor se jemi duke negociaur me BE-në. Planet tona janë të detajuara në çdo sektor. Si negocion BE me një vend që s’ka plan?
Kur të hyjmë në atë familje, do jetë momenti kur ne do mund të bëjmë një politikë në favor të pensionistëve sepse do kemi një buxhet ekstra. Kur ne kemi marrë detyrën Shqipëria ishte një vend që e shikonin me përçmim, as kandidat nuk ishim, jo më negociata. Sot jemi te pragu i derës, na shikojnë me respekt, na vlerësojnë. Kemi marrë prej tyre 1 miliard e kusur euro mbështetje për gjëra të ndryshme, në gjithë këto vite. Kur të hyjmë në atë familje 1 miliard e kusur euro mbështetje do t’i marrim çdo vit. Llogariteni se çfarë do të thotë kjo.
Kryeministri Edi Rama u ndal tek opozita ku nuk la pa përmendur edhe strategun e fushatës së PD, Chris LaCivita.
“Kanë paguar lekët e dynjasë për Latifin. Magjistari i thonë. Latifi kishte kandidat atje në Amerikë, po këtu kë ka?!”, ka ironizuar kreu i PS./vizionplus