Kryeministri, Edi Rama, në përmbledhje të takimit të tij maratonë me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, u ndal tek një ambicie e qeverisë për Shqipërinë.

Ai u shpreh se brenda kësaj dekade, dëshiron që Shqipëria të jetë ‘cashless”, pra të gjitha pagesat të kryhen në mënyrë digjitale. Sipas Ramës, kjo gjë nuk është e pamundur, por nevojitet për një sensibilizim të madh. Po kështu, kreu I qeverisë u shpreh se nuk mungon teknologjia për të arritur këtë synim, por duhet bërë përmirësimi i saj.

“Ne kemi edhe një ambicie tjetër, që deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë cashless. Pra, që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet sforco e madhe. Na duhet goxha sensibilizim. Teknologjia nuk mungon, ka nevojë për t’u up scale-ur, por nuk mungon.

Besoj që nëse do dimë ta bëjmë siç duhet, vizatimin e rrugës që do të heqim, kjo është plotësisht e realizueshme edhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, tha Rama.

Por, cilat do të jenë përfitimet e Shqipërisë së qenuri një ekonomi digjitale?

Fillimisht, do të ketë transparencë fiskale. Pra, kur çdo pagesë kalon përmes bankave, aplikacionave apo platformave të lincesuara, shteti “sheh gjithçka”. Kështu, do të ketë më pak evazion fiskal, të ardhura më të larta nga taksat, si dhe ulje të krimit së parave, kontrabandave, apo dhe punës së padeklaruar.

Së dyti, pagesat do të kryhen në vetëm disa sekonda, por gjithashtu do të kursehet kohë dhe kosto operative për bizneset dhe qytetarët.

Së treti, do të ulen shpenzimet për prodhimin e kartëmonedhave, ruajtjen, transportin dhe sigurimin e tyre fizik. Në këtë mënyrë, këto shpenzime mund të kalojnë për shërbime të tjera.

Nëse nuk ka “cash”, nuk ka as mundësi vjedhjeje. Kështu, pagesat digjitale do të sjellin siguri më të madhe për qytetarët.

Së pesti, Shqipëria “cashless” do të sjellë përshtatshmëri më të madhe me tregtinë globale. Kjo ndodhë sepse investitorët e huaj preferojnë një ekonomi transparente dhe digjitale. Po kështu, turistët ndihen më rehat për të paguar përmes kartave bankare apo telefonave.

Gjë pozitive do të jetë dhe për banorët e zonave rurale. Këta të fundit, do të përfshihen në ekonominë formale, duke hapur kështu llogari bankare. Kjo gjë, do i ndihmojë ata që të kenë akses për kredimarrje dhe investime të ndryshme.

Së fundmi, kur çdo qindarkë është e gjurmueshme, qeveria mund të ndërmarrë politika më të zgjuara dhe më fitimprurëse për qytetarët.

Pavarësisht të mirave që ka ekonomia digjitale, sërish prezenca e parasë si një plan rezervë duhet të jetë e pranishme.

Vitin e kaluar, 23 pagesa dixhitale për frymë

Risitë teknologjike po ndryshojnë sistemin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Kështu, vetëm në vitin 2024, niveli i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23. Në vitin 2015, ky numër ishte 2 pagesa për frymë, duke shënuar kështu një rritje të ndjeshme.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka sqaruar më herët se shumica e popullsisë vendase është e përfshirë në sistemin financiar, pasi aktualisht 78% e popullsisë zotëron një llogari financiare./javanews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu