
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar shkurtimisht pas deklaratës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili përsëriti se “ka ndaluar një luftë të re midis Kosovës dhe Serbisë”.
Në një koment për mediat, Sveçla nuk hyri në polemika për përmbajtjen e deklaratës, por shprehu mirënjohjen ndaj aleatit historik të Kosovës.
“Jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e SHBA-së gjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës,” – tha ai.
Trump, në një intervistë për BBC këtë të hënë, u shpreh:
“Gjatë mandatit tim si president, kam ndaluar shpërthimin e një tjetër lufte mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte shumë pranë.”
Deklarata e Trump vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta, ndërsa ndërmjetësimi ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është përballur me ngecje.
Pavarësisht mungesës së detajeve nga pala amerikane për masat konkrete që i referohet Trump, Kosova vazhdon të mbështetet fuqishëm te aleanca me SHBA-në si partner strategjik për sigurinë dhe sovranitetin e saj.