Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, duke i cilësuar ato si kërcënuese dhe të papranueshme.

Përmes një reagimi publik, Sveçla tha se deklaratat e Vulinit, të bëra në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmendi modelin e shërbimit sekret izraelit Mossad dhe shtroi pyetjen “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, përbëjnë një precedent të rrezikshëm.

Sipas ministrit kosovar, përdorimi i analogjive nga konflikte të armatosura dhe aplikimi i tyre në raport me Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti nënkupton normalizimin e operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi në Ballkan.

Sveçla theksoi gjithashtu se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike dhe institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai kujtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Vulinin në listën e sanksioneve për shkak të aktivitetit të tij dhe lidhjeve me aktorë rusë të inteligjencës.

Ministri përmendi edhe historinë e përfshirjes së strukturave të inteligjencës serbe në vrasjen e veprimtarëve shqiptarë në të kaluarën, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke theksuar se deklarata të tilla duhet të trajtohen me seriozitet.

Në reagimin e tij, Sveçla bëri të ditur edhe një rast të ndodhur në shkurt, kur dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Sipas tij, ata u arrestuan nga institucionet e sigurisë dhe posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim operacionesh, si dhe kishin përvojë ushtarake dhe trajnim me eksploziv.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi dhe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor dhe janë të gatshme të përballen me çdo kërcënim në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. As Vulin dhe as Vuçiq nuk mund të na frikësojnë apo të na ndalin”, deklaroi Sveçla.

Deklaratat e tij vijnë pasi ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, i cili aktualisht drejton Lëvizjen Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç vepron Izraeli përmes Mossad-it ndaj armiqve të tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu