Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot atë që e cilëson si një superskandal të rëndë, të bërë publik me përgjegjësi të plotë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

“Sot jam këtu për të denoncuar parkun virtual të high-tech, ose de facto ‘Troplanën e Shkozetit’, një nga skandalet më të rënda në historinë e grabitjes së pasurive publike, i denjë për filmat horror”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, bëhet fjalë për projektin që u promovua si “Silicon Valley i Shqipërisë”, i cili, në vend që të sillte investime strategjike dhe teknologji të avancuar, u përvetësua nga interesa mafioze.

Berisha deklaroi se tre vite më parë, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, një nga gjigantët botërorë të teknologjisë së informacionit, kompania EPAM, vendosi të zhvendosë sipërmarrjen e saj të madhe nga Ukraina dhe përzgjodhi Shqipërinë si destinacion.

Presidenti i kësaj kompanie, e cila operon me xhiro miliardëshe në nivel global, erdhi në Shqipëri dhe, sipas Berishës, u prit nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit u paraqit projekti për krijimin e një zone të posaçme teknologjike, me kushte të favorshme, e ngjashme me atë që kompania kishte në Ukrainë.

“Ky projekt iu premtua. Kryeministri nisi të fliste publikisht për krijimin e një Silicon Valley në Durrës. Por shumë shpejt, kthetrat e mafies shqiptare e përvetësuan projektin”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, kompania prestigjioze EPAM nuk gjeti asnjë mundësi reale për të investuar në Shqipëri, për shkak të klimës së korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, kompania u tërhoq, ndërsa projekti u shndërrua, sipas Berishës, në një aferë private të lidhur me emra të afërt me pushtetin.

“Sot, ajo që shohim janë livadhe dhe ara, simbol i asaj që unë e quaj Troplana e Edi Ramës, një mashtrim i madh publik dhe një humbje e jashtëzakonshme për interesin kombëtar”, përfundoi Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu