Një histori frymëzuese heroizmi vjen nga Greqia, ku një emigrant shqiptar, Levian Goga nga Berati, ka shpëtuar jetën e dy fëmijëve të mitur që rrezikonin të mbyteshin në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës. Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës dhe është pasqyruar gjerësisht nga mediat greke, duke nxjerrë në pah trimërinë dhe humanizmin e jashtëzakonshëm të shqiptarit.

Sipas dëshmive, Goga ndodhej në një bar kafe kur një i ri i shqetësuar mbërriti me motor, duke bërtitur se dy fëmijë ishin në rrezik për jetën në ujërat e lumit. Pa humbur kohë, Leviani mori makinën dhe u nis me shpejtësi drejt vendngjarjes.

“U hodha pa menduar dy herë. Herën e parë nuk pashë gjë. Herën e dytë u zhyta tetë metra thellë, e pashë djalin. Ishte i shtrirë në fund, fytyra e nxirë, si i vdekur. E kapa me zor dhe e nxora. Kur më thanë se kishte edhe një tjetër, u hodha sërish. E gjeta të shtrirë me shpinë. I dilte gjak nga goja dhe hunda. U tremba shumë,” – rrëfeu ai mes emocioneve.

Falë reagimit të tij të menjëhershëm dhe trimërisë së jashtëzakonshme, të dy fëmijët u nxorën nga uji në kohë dhe iu ofrua ndihma e parë. Goga ka rrëfyer se përjetoi momente të vështira, por në asnjë çast nuk e vuri në dyshim vendimin për të ndërhyrë.

“Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje. Të jetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Edhe fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…”, tha ai me lot në sy.

Akti i Levian Gogës është përshëndetur nga komuniteti lokal në Artë dhe ka prekur thellë opinionin publik në të dyja anët e kufirit. Ai është cilësuar tashmë si “Supermeni i diasporës” – një simbol i shpirtit të vërtetë shqiptar: guximtar, i përkushtuar dhe njerëzor.

Një kujtesë se heronjtë e vërtetë nuk veshin gjithmonë uniforma – disa thjesht nuk hezitojnë të shpëtojnë jetë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu