Partia Laburiste ka siguruar një shumicë të madhe të votave në zgjedhjet parlamentare të Britanisë, duke shfrytëzuar një valë zhgënjimi me 14 vjet qeverisjeje nga Partia Konservatore, ka treguar rezultati i një “exit poll”-i që u publikua menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, në natën e së enjtes.
Sipas këtij sondazhi, udhëheqësi i Laburistëve, Keir Starmer, do të jetë kryeministri i ardhshëm britanik. Partia e tij, sipas “exit poll”-it, pritet t’i ketë 410 vende në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh.
Elektorati duket t’i ketë dhënë një goditje të madhe Konservatorëve të kryeministrit Rishi Sunak, të cilët ndodhen në pushtet që nga viti 2010. Ata pritet t’i kenë 131 vende në përbërjen e ardhshme të Parlamentit, sipas sondazhit.
Rezultatet e plota të zgjedhjeve priten gjatë orëve të ardhshme.
“Exit poll” i Britanisë u krye nga firma anketuese Ipsos, dhe u kërkoi njerëzve që dilnin nga qindra vendvotime të mbushnin një imitim fletëvotimi për të treguar se si kishin votuar./REL